Ka nisur takimi mes presidentes Osmani dhe emisarit amerikan, Gabriel Escobar.
Pas takimit, pritet të ketë edhe një adresim për media, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Gjatë vizitës në Kosovë, Escobar pritet të takohet nesër edhe me kryeministrin, Albin Kurti. Ndërsa gjatë ditës së sotme, ai do të ketë takime edhe me përfaqësuesit e opozitës në Kosovë.
Një ditë para vizitës së tij në Kosovë, Escobar, në një diskutim online me gazetarë ku mori pjesë edhe gazeta online Reporteri.net, ka numëruar 5 arsye që sipas tij, rregullorja e re e BQK-së është problematike në implementim.
“Është vendim katastrofal”, tha Escobar në hyrje të diskutimit. Sipas tij, “Kosovës i duhet ndihma për këtë çështje”.
“Po dëgjojmë shumë raportime për vështirësi për qytetarët që varen nga pagesat. Pesë arsye: Shpejtësia e implementimit. Nuk po diskutojmë legjitimitetin e vendimit, por implementimin e vendimit. Qeveria nuk ka ofruar alternativa tjera, dhe këta njerëz varen nga këto pagesa. Nuk ka pasur paralajmërim/parapërgatitje, pra shumë njerëz që janë varur nga këto pagesa janë lënë në udhëkryq”, tha Escobar.
Escobar ka lënë të kuptohet se me të tilla veprime, Kosova po e pengon dhe anashkalon Dialogun.
“Rruga për BE dhe NATO shkon kah pesë shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën. Këto shtete dëshirojnë të shohin lëvizje. Pra duke injoruar dialogun, Kosova është duke injoruar rrugën përpara. Jam i shqetësuar që Kosova nuk është duke e dëgjuar SHBA-në për rrugën përpara”, tha emisari amerikan.
Escobar ka insistuar se vendimi për dinarin është i dëmshëm dhe për këtë ka përmendur pesë arsye.
Ai madje ka konfirmuar atë që tashmë dihej, se “SHBA-ja ka vështirësi në komunikim me kryeministrin Kurti”. Mirëpo ai ka përmendur edhe shtete të tjera që kanë të njëjtin problem me Kurtin.
“Por do të thosha se së fundmi kemi problem me komunikim me kryeministrin Kurti. Nuk është vetëm SHBA-ja. Nuk është problem që e ka vetëm SHBA-ja, është problem që e ka Kosova në komunikimet me BE-në, NATO-n, Mbretërinë e Bashkuar, SHBA-në, dhe me shumë shtete të tjera, përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Dikur kemi pasur partneritet më të mirë dhe ne duam që të kemi partneritet të tillë”, tha Ecsobar. /Reporteri.net/