Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Peter Stano, ka komentuar deklaratat e emisarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për problemet në komunikim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Stano në një konferencë për media tha sot se qëndrimet e Bashkimit Evropian dhe SHBA-së për Kosovën “përputhen qind për qind”.
“Kur është fjala për Kosovën dhe sjelljen e qeverisë aktuale në Prishtinë, qëndrimet e BE-së dhe partnerëve tanë amerikanë janë 100 për qind konsistente”, tha Stano.
Gjatë ditës së djeshme, emisari amerikan, Gabriel Esobar, ka rikonfirmuar edhe një herë “telashet” e SHBA-së me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Siç tha zëvendës-ndihmës Sekretari për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike i SHBA-së, problemi qëndron tek komunikimi, ndonëse theksoi se “partneriteti mes SHBA-së është mes popullit amerikan dhe atij të Kosovës”.
“Kjo nuk varet nga një njeri apo një parti”, shtoi Escobar.
Sipas emisarit amerikan, “telashe” me Kryeministrin Kurti nuk ka veç SHBA-ja, por edhe partnerët tjerë, si BE, NATO e Britania e Madhe. Ai e veçoi edhe Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut.
“Por do të thosha se së fundmi kemi problem me komunikim me kryeministrin Kurti. Nuk është vetëm SHBA-ja. Nuk është problem që e ka vetëm SHBA-ja, është problem që e ka Kosova në komunikimet me BE-në, NATO-n, Mbretërinë e Bashkuar, SHBA-në, dhe me shumë shtete të tjera, përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Dikur kemi pasur partneritet më të mirë dhe ne duam që të kemi partneritet të tillë”, tha Escobar, dje në një diskutim online me gazetarë. /Reporteri.net/
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.