×
  • Lajme
  • Lajme / Selia e NATO-s

    Gërvalla kërkon angazhimin e ndërkombëtarëve për t’i bërë presion Serbisë t’i dënojë kriminelët gjatë luftës në Kosovë

    Reporteri
    13 Mars 2024 | 21:00

    Gjatë vizitës së punës në selinë e NATO-s, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla pati një takim Irene Fellin, Përfaqësuese e Posaçme e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për Çështje të Grave, Paqes dhe Sigurisë, përcjell Reporteri.net.

    Kumtesa për media njofton se gjatë kësaj bisede, ministrja Gërvalla ndau me Fellin përvojën e Republikës së Kosovës në forcimin e pozicionit të gruas në profesione të fushës së sigurisë, shembujt e shumtë të profesionisteve të jashtëzakonshme në të gjitha strukturat e larta të sigurisë, rolin e fuqishëm të gruas në përgjithësi si dhe përpjekjet e institucioneve për të hapur, përmes formave të ndryshme të stimulimit, horizonte të pashkelura profesionale për vajzat dhe gratë e reja në Kosovë.

    “Biseda u përqendrua edhe në përvojën e dhimbshme të më shumë se 20 mijë grave, fëmijëve dhe burrave në Kosovë, të cilët mbijetuan dhunën seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, e cila u përdor si armë lufte kundër tyre”, thuhet në njoftim.

    Ministrja Gërvalla shprehu gatishmërinë e institucioneve dhe shoqërisë civile për të kontribuar në Ukrainë me përvojën e mbledhur përgjatë viteve në trajtimin e nevojave të të mbijetuarve.

    “Duke marrë në konsideratë faktin që autorët e dhunës seksuale si armë lufte ndaj qytetareve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës, nuk u ballafaquan asnjëherë me drejtësinë, ministrja Gërvalla vuri në pah nevojën e një angazhimi të bashkësisë ndërkombëtare për t’ia bërë me dije Serbisë urgjencën dhe domosdoshmërinë e dënimit të autorëve të krimit nga radhët e policisë, ushtrisë dhe paramilitarëve të ardhur nga Serbia”, thuhet tutje.

    Me Fellin u diskutuan edhe fusha të tjera, në të cilat Republika e Kosovës mund të kontribuojë konkretisht në paqen dhe sigurinë në rajon, por edhe më gjerë./Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!