×
  • Lajme
  • Lajme / Reagimet

    “Do mbesim pa aleatë”, “Nëse jo me dorëheqje, Qeveria bie në forma të tjera”, reagimet e opozitës pas deklaratës të Escobar se ka zhgënjim në Qeverinë Kurti

    Reporteri
    16 Mars 2024 | 9:09

    Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor , Gabriel Escobar ka thënë se nuk është hera e parë që është refuzuar nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti. Ai pohoi se ka shumë zhgënjim me Qeverinë Kurti si në Uashington, ashtu edhe në Romë, Berlin e Paris.

    Në një intervistë për Radio Evropën e Lirë, Escobar theksoi se forca e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe SHBA-së është mes njerëzve.

    “Nuk është hera e parë, këtë ua them. Dhe, ka shumë zhgënjim me këtë Qeveri të Vetëvendosje – jo vetëm në Uashington, por në Bruksel, në Romë, Berlin dhe Paris gjithashtu. Ne, përderisa i afrohemi 25-vjetorit të aksionit të NATO-s, është e rëndësishme që njerëzit ta kuptojnë që forca e marrëdhënies ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës është mes njerëzve”, tha ai.

    Pas kësaj deklarate të Escobar kanë reaguar nga opozita duke thënë se vendi do të mbetet pa aleatë dhe paralajmërojnë se “qeveria nëse s’bie më dorëheqje, bie në forma tjera”, shkruan Rerporteri.net.

    Nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se qëndrimi amerikan është duke u përkeqësuar, derisa edhe aleatët kryesorë evropianë janë në kulm të pakënaqësive me Qeverinë Kurti.

    “Qëndrimi amerikan është duke u përkeqësuar, derisa edhe aleatët kryesorë evropianë janë në kulm të pakënaqësive me Qeverinë Kurti. Fakti që vendimi për tokat e manastirit shkoi huq, tregon për një amatorizëm dhe një moskoordinim eklatant me aleatët shtetbërës të Republikës së Kosovës. Deklaratat e pamatura dje, sot morën një dush të ftohtë. Mosbesimi është thelluar aq shumë me aleatët, sa që diplomacia jonë është krejtësisht e izoluar dhe joefektive. Nuk po flitet më për njohje dhe anëtarësime në diplomaci me aleatët, po për dinarë e për kadastra! Kjo tregon që politika e jashtme është kthyer në ofiqari për dinarë e për kadastra. Përgjegjësia e plotë i takon kësaj qeverie! Do mbesim pa aleatë me këtë ritëm të tmerrshëm të gabimeve! Por, Kosova nuk do t’ia kthej shpinën aleatëve, por kësaj qeverie anti-historike.”, ka shkruar Hoxhaj në rrjetin social Facebook.

    Edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka komentuar deklaratat e emisarit special të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili tha se ka shumë zhgënjim me Qeverinë Kurti, jo vetëm në Uashington por edhe në Bruksel, Romë, Berlin e Paris.

    Haziri tha se deklarata e Escobarit ka zbardhur pikën më të ulët të raporteve që ka sot Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Albin Kurti, me qeverinë amerikane, NATO-n, BE-në dhe me fqinjët e saj.

    “Qeveri jo-kompetente, e cila nuk planifikon efektet e vendimit të saj. Në një vend demokratik, nëse qeveria nuk bie me dorëheqje, bie në forma të tjera. Po kalojmë në vitin e dytë, ndoshta edhe vitin e tretë, dhe nuk ka pasur takime të nivelit të lartë mes askujt në Qeverinë e Kosovës dhe dikujt në administratën amerikane. Pra, ky duhet të jetë gjithashtu një tregues për njerëzit se ku është marrëdhënia”, tha Escobar.

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu e komentoi deklaratën e të zëvendësndihmës sekretarit të DASH-it, Gabriel Escobar, se Kosova për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës duhet t’i plotësojë edhe dy kushte.

    “Tash a kanë qenë të vetëdijshëm këta kur kanë shkuar në Ohër dhe në paragrafin e fundit e kanë pranaur që zbatimi i marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit është rruga evropiane e Kosovës dhe Serbisë. A e kanë pranuar vetë? Këtë kusht ia kanë qit vetes. Vetë e kanë nënshkruar që nuk mund të anëtarësohesh në Këshill të Evropës pa e zbatuar marrëveshjen. Ti ku i ke pasur sytë? Nuk je duke negociuar për çështje private por për çështje të Kosovës. Ti ia ke ndërprerë rrugën e anëtarësimit Kosovës qoftë në KiE, qoftë BE e NATO kur i ke futur këto pjesë të marrëveshjes, Asocacionin dhe autonominë e Kishës Serbe. Nuk është mashtrim që ia ka bërë, por ai e ka pranuar vetë në marrëveshjen e Ohrit.”, tha Haxhiu në DPT te Fidani.

    Ai tha se Kurti e ka ditur që do të jenë edhe këto kushte, por është përpjekur që vendimin për Manastirin e Deçanit në emër të asaj se Kosova po përfiton diçka. Sipas tij, populizmi u zgjati vetëm dy ditë. /Reporteri.net/.

     

     

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!