Partitë opozitare edhe këtë vikend kanë adresuar kritika në drejtim të Qeverisë Kurti. Nga PDK thonë se mbajtja e zgjedhjeve të reja është domosdoshmëri, kurse nga LDK kanë kërkuar hetim të tenderëve njëburimorë, shkruan Reporteri.net.
Nënkryetarja PDK-së, Vlora Citaku, ka thënë se në një kohë kur bota po përballet me sfida të mëdha, Kosovën janë duke e udhëhequr një kastë avanturierësh.
Ish-ambasadorja e Kosovës në Washington, ka thënë se Kosova asnjëherë s’ka qenë në një situatë të tillë na tash e 25 vite liri dhe thotë se zgjedhjet e parakohshme janë domosdoshmëri. Ajo thotë se Kosova është më e rëndësishme se egot e kryeministrit Albin Kurti.
“Në një kohë kur bota po përballet me turbulenca të mëdha, Kosova po udhëhiqet nga një kastë avanturierësh. Në kohën kur qytetarët tanë kanë nevojë për stabilitet e parashikueshmëri, Kosova ka në krye një qeveri të papërgjegjëshme, pa ide e pa vizion. Konfrontimet e hapura tashmë me aleatët tanë na kanë sjellur në një teren tërësisht të pashkelur nga ne tash e 25 vite.
Pa projekte konkrete e pa vizion, si në planin e brendëshëm, si në politikën e jashtme. Mbajtja sa më parë e zgjedhjeve parlamentare tashmë është jo vetëm kërkesë, por domosdoshmëri. Kosova është më e madhe dhe më e rëndësishme se egoja e Kurtit”, ka shkruar Çitaku, në Facebook, shkruan Reporteri.net.
Kurse nga Lidhja Demokratike e Kosovës i ka bërë thirrje Prokurorit të Shtetit që të hetojë rastet me tenderët njëburimorë.
Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, ka thënë se shumica e kontratave të këtyre tenderëve janë të Qeverisë aktuale.
“Vetëm 2.5 për qind të këtyre kontratave janë vazhdim i kontratave të mëhershme ndërsa 97.5 për qind janë kontrata të reja Këto janë kontrata ku nuk lejohet konkurrenca e lirë, negocimi bëhet në katër sy me zyrtarët e ministrisë apo vet ministrat apo përfaqësuesit e kompanisë të cilës i besohet një tender”, tha Mustafa.
“Në ministrinë e Ekonomisë duke përfshirë edhe ndërmarrjen publike që i raportojnë kësaj ministrie, duke përfshirë KEKU-n, postën, Telekomin, kemi për këtë periudhë 152 kontrata të tilla me vlerë prej 124 milionë e 606 mijë e 73 euro. Në Ministrinë e Punëve të Brendshme ë këtë periudhë kemi 33 kontrata të negociuara në katër sy me vlerë prej 25 milionë e 772 mijë e 698 euro. Në Ministrinë Infrastrukturës ku përfshihet edh e Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kemi 69 kontrata të tilla me vlerë prej 10 milionë 570 ,mijë 71 euro, në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit 56 kontrata të tilla me vlerë prej 4milionë e 763 mije 391 euro, në ministrinë e Drejtësisë, pra imagjinojeni në ministrinë e drejtësisë kemi 13 kontrata me vlerë 4 milionë 95 mijë 729 euro”.
“Kontrata për sigurimin e objekteve apo ndërtesave kemi 74 kontrata të tilla me vlerë prej 9 milionë e 539 mijë e 951 euro. Kontrata për ekspert, pra kaq të paaftë janë kjo qeveri kemi 35 kontrata me vlerë prej 1 milion 464 mijë e 596 euro. Kontrata me vetura me qira, katër kontrata 434 mijë e 592 euro”.
“Po veçoj një kontratë një burimore për licenca të mikrosoftit. Në mars të vitit të kaluar kemi një kontratë prej 15 milionë eurove e cila i lejon shtesë 30 për qind tejkalim të kësaj vlere, pra edhe katër milionë e gjysmë, totali 19.5 milionë”, than Mustafa në konferencë. /Reporteri.net/.