×
  • Lajme
  • -->
    Lajme / Trazirat e vitit 2004

    Kurti kujton trazirat e marsit: 20 vjet pas, ia rikujtojmë vetes se paqja e siguria nuk mund të merren të mirëqena

    Reporteri
    16 Mars 2024 | 17:36

    Sot u bënë 20 vjet nga mbytja e tre fëmijëve në lumin Ibër në fshatin Çabër të Zubin Potokut. Katër fëmijë shqiptarë u ndoqën nga një grup i të rinjve të komunitetit serb. Për të shpëtuar nga sulmi, ata u hodhën në lumin Ibër, prej nga i gjallë doli vetëm Fitim Veseli.

    Nisur nga kjo, trazira shpërthyen dhe eskaluan në dhunë në gjithë Kosovën.

    Trazirat kishin përfshi thuajse tërë territorin e Kosovës, ndërsa ishin Institucionet e Përkohshme Vetëqeverisëse të Kosovës (IPVK), Administrata e Kombeve të Bashkuara që menaxhonte Kosovën (UNMIK) dhe trupat e paqeruajtëse të Aleancës Veri Atlantike në Kosovë (KFOR), ato që u angazhuan fuqishëm për menaxhimin e situatës e cila kishte dalë nga kontrolli.

    Teksa ka kujtuar trazirat e marsit të 2004-s, kryeministri Albin Kurti ka shkruar se ngjarjet e asaj periudhe rikthejnë në vëmendje se paqja dhe siguria s’duhet të merren si të mirëqena e se ato duhet të mbahen, ruhen e mirëmbahen vazhdimisht.

    Kurti thotë se kjo ndodhi në një kohë e kontekst me përplot paqartësi për të ardhmen e vendit, pas luftës për të cilën plagët e kujtimet ishin ende shumë të gjalla teksa drejtësia për krimet, vuajtjet e dëmet e përjetuara nuk shihej asgjëkundi.

    “Lajmi për mbytjen në lum të Egzon Deliut, 13 vjeç, Avni Veselit, 12 vjeç, dhe Florent Veselit, 9 vjeç, u shpërnda rrufe dhe jehoi kobshëm në çdo cep të vendit. Protestat e qytetarëve në rrugë ishin përgjigjja e menjëhershme. Pa thirrje të organizuar e pa organizim në mbarëvajtje, ato shumë shpejt morën përmasa masive duke përfshirë gjithë Kosovën”, ka shkruar Kurti në Facebook

    “E kur protesta është spontane e pa organizim, që ajo të jetë paqësore dhe e qetë duhet që secili pjesëmarrës të jetë paqësor e i qetë. Ndërsa për t’u bërë e dhunshme mjaftojnë vetëm një grusht i protestuesve të jenë të tillë. Dhe kështu ndodhi. Madje, fillimisht ato ishin të drejtuara kundër UNMIK-ut e, më pas, se kush i orientoi drejt vendbanimeve me serbë dhe kishave e manastireve ortodokse nuk u sqarua asnjëherë”, vijon reagimi i kryeministrit.

    Kurti në Facebook ka shkruar se ka mbetur ende e paqartë se kush i orientoi disa grupe të protestuesve drejt vendbanimeve serbe e kishave dhe manastireve ortodokse. Ai ka thënë se Kosova s’kishte përgatitje institucionale, siç e ka tani për ta parandaluar a depërshkallëzuar situatën.

    “Kosova nuk kishte përgatitjen institucionale që ka tani për të parandaluar apo depërshkallëzuar situatën. Vendi ishte nën administrim total ndërkombëtar. Policia e Kosovës që atëherë quhej Shërbimi Policor i Kosovës, përbëhej nga trupa që nuk ishin të pajisur për trazira të tilla. E megjithatë, disa pjesëtarë të Policisë treguan guxim duke rrezikuar jetën e tyre për të ndihmuar e mbrojtur serbë në shumë qytete dhe fshatra.
    Prej atëherë shumica e dëmeve materiale që atë kohë kishin marrë përparësi para humbjeve njerëzore, u rikuperuan. Objektet e kultit fetar ortodoks u rinovuan me para të taksapaguesve të Kosovës. Atyre sot u ofrohet mbrojtje e fizike e veçantë nga Policia e Kosovës.
    20 vjet pas, i kujtojmë ato ngjarje, ndonëse me shumë të panjohura se si rrodhën, teksa ia rikujtojmë vetes se paqja dhe siguria nuk mund të merren të mirëqena. Ato janë më të vështira se dhuna, sepse duhet të mbahen, ruhen e mirëmbahen vazhdimisht.
    E ajo çka dimë është që Egzoni, Avniu dhe Florenti i mungojnë familjes, dhe të gjithë neve edhe sot, për çdo ditë”, përfundon Kurti. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    -->
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!