Ministri i Financave, Hekuran Murati në një postim të bërë në Facebook, përmes një grafike të publikuar ka thënë se ekonomia në vend ka vazhduar rritjen në tre mujorin e fundit të vitit të kaluar. Tutje ai shkruan se sipas të dhënave të ASK-së rritje reale e ekonomisë ishte në linjë me pritjet e Qeverisë.
Ai tha se me Qeverinë Kurti ekonomisë i janë shtuar 2.9 miliardë euro, apo mesatarisht gati 1 miliardë në vit shkroi Murati në Facebook.
“Përderisa me qeveritë e kaluara për 3 vite ekonomisë i shtoheshin vetëm 1 miliardë euro, me Qeverinë Kurti për periudhën e njëjtë ekonomisë i janë shtuar 2.9 miliardë euro, apo mesatarisht gati 1 miliardë në vit”, shkroi ministri Murati.
Nuk ka vonuar shumë dhe ministrit Muratit i ka reaguar ish-ministrja e Financave nga LDK, Hykmete Bajrami, e cila publikoi një grafik për rritjen ekonomike, duke u bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ku përmendi inflacionin enorm e milionat e shpenzuara në tenderë njëburimor, shkruan Reporteri.net.
“Hekurani qenka bërë kreativ këtë të dielë, por rritja ekonomike sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës duket si në foton me poshtë.
Derisa gjatë këtij mandati ka pasë inflacion enorm mbi 23% në kumulativ (2021: 3.4%; 2022: 11.6%; 2023: 5%; shkurt 2024: 2.2%), janë dhënë mbi 240 milionë euro tenderë njëburimor e investimet kapitale të nivelit qendror në 2023 janë sa ato të vitit 2017 vetëm 349 milionë euro. Kënd po provoni ta mashtroni?”, ka shkruar deputetja.
/Reporteri.net/.