Partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës sot ka adresuar kritika ndaj Qeverisë Kurti, konkretisht është përplasur me ministrin e Financave, Hekuran Murati. E gjitha ka nisur kur ky i fundit publikoi një grafikë në Facebook dhe tha se ekonomia në vend ka vazhduar rritjen në tre mujorin e fundit të vitit të kaluar, shkruan Reporteri.net.
Ai tha se me Qeverinë Kurti ekonomisë i janë shtuar 2.9 miliardë euro, apo mesatarisht gati 1 miliardë në vit.
“Ekonomia e vendit ka vazhduar rritjen edhe në tremujorin e katërt gjatë vitit të kaluar, duke dëshmuar qëndrueshmëri të bizneseve tona përballë sfidave të njëpasnjëshme. Sipas ASK-së, për TM4 2023 rritja reale e ekonomisë ishte 3.96%, gjë që ishte në linjë edhe me pritjet tona. Në grafikun më poshtë mund të shihni edhe krahasimin e performancës ekonomike të vendit nëpër vite. Përderisa me qeveritë e kaluara për 3 vite ekonomisë i shtoheshin vetëm 1 miliardë euro, me Qeverinë Kurti për periudhën e njëjtë ekonomisë i janë shtuar 2.9 miliardë euro, apo mesatarisht gati 1 miliardë në vit”, ka shkruar Murati në Facebook.
Por statistikat e publikuara nga Murati nga LDK i quajtën të manipuluara dhe si tendencë për mashtrim.
Ish-ministrja e Financave nga LDK, Hykmete Bajrami, publikoi një grafik për rritjen ekonomike, duke u bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ku përmendi inflacionin enorm e milionat e shpenzuara në tenderë njëburimor, shkruan Reporteri.net.
“Hekurani qenka bërë kreativ këtë të dielë, por rritja ekonomike sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës duket si në foton me poshtë.
Derisa gjatë këtij mandati ka pasë inflacion enorm mbi 23% në kumulativ (2021: 3.4%; 2022: 11.6%; 2023: 5%; shkurt 2024: 2.2%), janë dhënë mbi 240 milionë euro tenderë njëburimor e investimet kapitale të nivelit qendror në 2023 janë sa ato të vitit 2017 vetëm 349 milionë euro. Kënd po provoni ta mashtroni?”, ka shkruar deputetja Bajrami.
Kurse, Berat Rukiqi i LDK-së e ka quajtur të paaftë Ministrin Murati dhe manipulues, pasi sipas tij krahasime të tilla nuk mund të bëhen nga një vit me inflacion.
Rukiqi tha se qytetarët po varfërohen dhe nuk po mund ta përballojnë jetën e shtrenjtë.
“Ja si manipulon një i paaftë i pushtetit. Një vit me recesion (rritje negative ekonomike), me aktivitet të pëergjysmuar ekonomik, e krahason me një vit me inflacion, me rritje çmimesh, rrjedhimisht me qarkullim të rritur, jo nga rritja reale e aktivitetit ekonomik, por nga rritja e çmimeve, në kurriz të qytetareve të vendit. Ministër,, qytetarët në hall, po marrin kredi dhe mbitërheqje në banka, me norma të larta të interesit, për të përballuar shpenzimet. Mbi 30000 qytetarë i janë shtuar listës të të varfërve. Këta qytetarë që nuk mund të përballojnë jetën e shtrenjtë, do të duhej të ishin brenga jpte, e jo manipulimi me grafikone. Fatkeqësisht, për vendin dhe qytetarët, ti je ndër të paaftit e shumtë në këtë qeveri”, ka shkruar Rukiqi në reagimin e tij në Facebook.
/Reporteri.net/