×
  • Lajme
  • Lajme / Investimet e Jared Kushner

    FAZ: Rikthimi i Trumpit mund t’i hapë rrugë idesë së Thaçit, Ramës e Vuçiqit për ndarjen e Kosovës

    Reporteri
    18 Mars 2024 | 12:00
    Foto e ilustruar nga Reporteri.net

    Mediumi gjerman, “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, ka shkruar se realizimi i projektit potencial të investimit të dhëndrit të ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, Jared Kushnerit në Shqipëri dhe Serbi, mund të ketë pasoja të mëdha, përcjell Reporteri.net. 

    “Një projekt investimi i Jared Kushner në Serbi dhe Shqipëri po bën bujë. Nëse vjehrri i tij Donald Trump bëhet president amerikan, marrëveshja mund të ketë pasoja të mëdha”, kështu nis shkrimin mediumi gjerman.

    Një projekt i mundshëm investimi në Shqipëri i dhëndrit të Donald Trump, Jared Kushner ka ndezur debate të mëdha veçanërisht në Beograd. Të premten, Kushner konfirmoi planet për New York Times, të cilat gazeta i përdori si bazë për një raport gjithëpërfshirës mbi projektin. Kjo nga ana tjetër çoi në reagime të qarta nga qeveria serbe në fundjavë.

    “New York Times” raportoi se në Beograd bëhej fjalë për ndërtimin e një hoteli dhe një godine me “1500 njësi banimi” dhe në Shqipëri bëhej fjalë për ndërtimin e resorteve luksoze në bregdetin e Mesdheut. “Jemi shumë të emocionuar. Ne nuk i kemi bërë ende këto marrëveshje, kështu që ato mund të mos ndodhin, por ne kemi punuar shumë për to dhe jemi shumë afër”, citohet të ketë thënë Kushner.

    Dhëndri i Trump, Jared Kushner investitor në Shqipëri, projekt 1 miliard dollarësh në Sazan, Zvërnec dhe Ksamil

    Siç raportohet, ish-i dërguari special i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka luajtur një rol të rëndësishëm në arritjen e kësaj marrëveshjeje.

    “Në atë kohë (v.j. sa ishte emisar i posaçëm), Grenell krijoji kontakte të mira me kreun e qeverisë shqiptare Edi Rama dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq. Ai nuk e fshehu faktin që dëshiron t’i kthejë këto marrëdhënie në ‘para’ që nga largimi nga politika: ‘Askush nuk duhet të kërkojë kurrë falje që dëshiron të fitojë para’, ka thënë Grenelli në një intervistë në Shqipëri për planet e tij në rajon”, thuhet artikullin e FAZ.

    Tutje, raportohet se për Ramën dhe Vuçiqin, një mbështetje e tillë mund të rezultojë e dobishme politikisht nëse Trumpi rikthehet në pushtet, veçanërisht me Grenellin si pjesë të administratës së tij.

    Tutje është përmendur një “marrëveshje e planifikuar” midis Ramës, Vuçiqit dhe presidentit të atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi, për ndarjen e Kosovës.

    “Kur Grenelli ishte i dërguari i Trumpit për Ballkanin, Rama, Vuçiqi dhe presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, ishin në prag të ndarjes së Kosovës. Sipas një marrëveshjeje të planifikuar në atë kohë, e cila u përfol si një ‘shkëmbim tokash’, veriu i Kosovës do t’i kishte rënë Serbisë dhe jugu do të kishte tendencë drejt Shqipërisë”, thuhet në këtë tekst, duke shtuar se kjo marrëveshje u parandalua atëkohë.

    Artikulli shton se marrëdhëniet e mira tani me presidentin e ardhshëm të mundshëm të Shteteve të Bashkuara mund t’i hapin rrugën Ramës dhe Vuçiqit për të ringjallur planin e tyre origjinal.

    Kushner, me anë të kompanisë së tij, Affinity Partners që mbështetet nga Arabia Saudite, synon të zhvillojë projekte rezidenciale në tre destinacione, ishullin e Sazanit, Zvërnec dhe Ksamil.

    “Ishulli i Sazanit është një nga vijat bregdetare më të pacenuara dhe unike që kam parë kudo në botë,” deklaroi Jared Kushner për Bloomberg.

    Ai planifikon të transformojë ishullin që më parë ishte shtëpia e një baze ushtarake, në një komunitet luksoz eko-resort të markës Aman.

    ”Affinity Partners po kërkon gjithashtu të zhvillojë Zvërnecin, një rajon bregdetar me më shumë se tre milje plazh me rërë të bardhë. Kompania planifikon të shtojë disa resorte kryesore në zonë, me afro 10.000 njësi vila dhe dhoma hoteli”, shkruan media amerikane.

    Duke hulumtuar me miqtë e tij Richard Grenell, i cili shërbeu si ambasador i SHBA në Gjermani gjatë administratës Trump, dhe Asher Abehsera, Kushner thotë se u tërhoq nga një nga zonat turistike me rritje më të shpejtë në botë.

    Ai po synon një projekt të ngjashëm dhe në Beograd.

    Grenell e vizitoi jugun e Shqipërisë verën e kaluar bashkë me Ivanka Trump dhe Jared Kushner, të cilët pozuan edhe në një foto dhe me kryeministrin shqiptar Edi Rama.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!