×
  • Lajme
  • Lajme / Një vjetori

    Zhgënjimi i Borrellit dhe kërkesa e tij ndaj Kurtit e Vuçiqit për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit

    Reporteri
    18 Mars 2024 | 16:52

    Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell është shprehur i pakënaqur me Kosovën e Serbinë në një vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit. Për të, kjo marrëveshje ishte e vështirë për t’u arritur, por që nuk ka pasur zbatim aq sa ka pritur ai, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Edhe ditën e sotme në Bruksel, shefi i diplomacisë evropiane theksoi se do të vazhdohet presioni ndaj Kosovës dhe Serbisë.

    “Sot është përvjetori i parë i Marrëveshjes së Orientit. Koha ikën dhe tashmë është një vit që kemi arritur një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për të ecur drejt normalizimit. Fatkeqësisht, përkundër mbështetjes së gjerë të Bashkimit Evropian dhe ndërkombëtare, Serbia dhe Kosova kanë arritur progres shumë të kufizuar. Së shpejti do të jetë takimi vjetor i kryenegociatorëve këtu në Bruksel. Më vjen shumë keq që kjo marrëveshje e cila ishte shumë e vështirë për t’u arritur, nuk është zbatuar. Do vazhdohet me presion ndaj të dyja palëve për të ecur përpara. Por një vit më vonë, zbatimi nuk ka qenë aq sa prisja të ishte”, deklaroi sot Borrell.

    Pakënaqësinë e tij, Borrell e kishte shprehur edhe gjatë ditës së djeshme ku shefi i diplomacisë evropiane tha se është koha e fundit që Kosova dhe Serbia të kalojnë në epokën evropiane.

    Kryediplomati evropian shprehu keqardhje që, “përkundër përpjekjeve të shumta të BE-së dhe komunitetit më të gjerë ndërkombëtar, deri më tani ka pasur progres shumë të kufizuar si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia në zbatimin e detyrimeve që kanë pranuar sipas kësaj Marrëveshjeje”.

    Borrell: Kosova dhe Serbia kanë arritur progres të kufizuar, do të vazhdohet me presion ndaj të dyja palëve

    “Tani është koha e fundit që edhe Kosova edhe Serbia të thyejnë rrethin e tanishëm vicioz të krizave dhe tensioneve, dhe të kalojnë në një epokë të re – evropiane. Marrëveshja ofron një të ardhme më të mirë për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë dhe të gjithë rajonit”, theksoi ai.

    Borrell tha se presin nga “liderët e Kosovës dhe Serbisë të tregojnë përgjegjësi, vizion dhe lidership duke bërë progres në zbatim pa vonesa të mëtejshme”.

    “Bashkimi Europian vazhdon të jetë i gatshëm për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë në çdo hap gjatë rrugës, por ata janë ata që duhet t’i ndërmarrin ato hapa dhe të ecin përpara”, shtoi Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!