Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka insistuar se me aleatët mund të mos pajtohet, porse mbeten aleate dhe partnere të Kosovës.
Në podcastin “The Rest is Politics” që udhëhiqet nga Rory Stewart dhe Alastair Campbell, kryeministri Kurti është pyetur për raportet e Kosovës me aleatët e saj dhe për çështjen e shumëkritikuar të dinarit.
Stewart është ish-diplomat britanik në rajon dhe Campbell është ish-këshilltar dhe strateg i komunikimeve të Tony Blairit gjatë punës së tij si kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar.
“Para së gjithash unë nuk e kam problem kritikën. Intelektualisht unë jam fëmijë i teorisë kritike nga, le të themi Zhan Zhak Rusoja te Shkolla e Frankfurtit. Pra, kritika është e shëndetshme, besoj se nuk ka progres pa kritikë. Mund të mos pajtohemi por BE-ja, SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar, janë aleatet tona, miket dhe partneret tona, por kjo nuk nënkupton se bashkëpunimi ynë është rrugë njëkahësh kështu që duhet ta dëgjojmë njëri tjetrin”, ka thënë Kurti.
“Dhe në këtë kuptim unë mendoj se duhet ta mbrojë Kosovën, duhet ta përfaqësojë atë me mirë se aleatët tanë. Nuk do të isha kryeministër, po të mos ishte Kosova Republikë…” ka thënë Kryeministri.
Kurti në këtë takim ka folur edhe për Putinin, burgun dhe Serbinë.
“Në burg kishte kohë të bollshme për të lexuar. Ishte një mjedis ideal për të qenë i përqendruar në libra, larg distraksioneve si telefoni celular apo pije të tjera”, rikujton Kurti.
“Po ashtu, interaksioni im me njerëzit që vinin nga zonat rurale ishte i pavlerësueshëm; më mësoi të organizoj dhe të komunikoj më mirë me njerëzit kur dola lirisht. Nga kjo përvojë lindi ideja për të formuar organizatën që drejtoj sot.”
Gjatë bisedës, Kurti nxori në pah edhe pasojat e rënda fizike të kohës që kaloi në burg.
Ai tha se kishte humbur 30 kilogramë peshë dhe se kishte pësuar tortura të ashpra, të cilat bënë që të humbte ndërgjegjen rreth 40 herë.
“Nuk mendova kurrë se do të mbijetoja për të dalë i gjallë nga ajo burg,” rrëfen Kurti, duke ofruar një dritë të re mbi sfidat dhe përkushtimin e tij ndaj çështjeve të Kosovës.
Ndryshe, misari amerikan, Gabriel Escobar në një takim online me gazetarët gjatë javës së kaluar, para se të vizitonte Kosovën, ka thënë se SHBA-ja ka problem që të komunikojë me kryeministrin Kurti.
Ai ka thënë se këtë problem nuk e ka vetëm SHBA-ja, por edhe Mbretëria e Bashkuar, BE-ja, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.