×
  • Lajme
  • Lajme / Çështja e dinarit

    Petkoviqi fyen presidenten Osmani

    Reporteri
    18 Mars 2024 | 19:51
    I ashtuquajturi drejtor i një zyreje të vetëquajtur “për Kosovën” në qeverinë serbe, Petar Petkoviç

    Petar Petkoviq, shef i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën, ka fyer presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Në një reagim në rrjetin social “X” ndaj qëndrimeve të presidentes Osmani se ka pajtueshmëri për një pjesë të propozimit amerikan për dinarin, Petkoviqi e ka fyer duke i thënë qen.

    “Siç do të thoshte populli ynë, Vjosa Osmani po gënjen si qeni. Kurrfarë marrëveshje për dinarin nuk ka arritur, e ata të cilët janë të fortë dhe të pamposhtur, të vetmen që duhet të bëjnë është që popullit serb në Kosovë e Metohi t’i gjejnë zgjidhje”, ka shkruar Petkoviq.

    Zëvendëshefja e stafit të presidentes së Kosovës, Learta Hollaj i ka reaguar Petkoviqit.

    “Shefi yt e ka quajtur presidenten tonë ‘mi’, qeveria jote e ka krahasuar me ‘miza’ dhe tani ju e quani ‘qen’. Kjo retorikë dehumanizuese është pasqyrim i mendësisë gjenocidale të Milosheviqit dhe Putinit, duke zbuluar injorancën e frikshme të mësimeve të historisë – ashtu siç pritet nga një shovinist”, ka shkruar ajo.

     

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani të hënën ka thënë se çështja e dinarit serb në Kosovë duhet të zgjidhet me urgjencë dhe se tashmë ekziston pajtueshmëri për një pjesë të propozimit amerikan për këtë çështje.

    Sipas saj, ideale do të ishte nëse do të arrihej një marrëveshje për të në Bruksel, më 19 mars, në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryenegociatorëve.

    Ajo ka thënë se është shumë pozitive “që komuniteti ndërkombëtar, në krye me Shtetet e Bashkuara pajtohen që mos të ketë qarkullim të dinarit në Kosovë”.

    Osmani: Është arritur pajtueshmëri për një pjesë të propozimit amerikan për dinarin

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!