Së paku 60 njerëz u vranë, pasi sulmues të armatosur qëlluan një sallë koncertesh në periferi të Moskës, thanë zyrtarët rusë, kurse autoritetet shëndetësore thanë se rreth 145 të tjerë u plagosën – prej tyre rreth 60 në gjendje kritike.
Nga Rusia vijnë informacionet se tashmë janë arrestuar të dyshuarit e parë.
Deputeti Alexander Khinshtein ka thënë se dy persona të dyshuar për kryerjen e sulmit masiv afër Moskës janë ndaluar pas një ndjekjeje me vetura, por të tjerët janë ende në arrati.
Khinshtein ndërsa ka cituar ‘burime preliminare’ ka thënë se sulmuesit ishin në një veturë të tipit “Renault” dhe u vërejtën nga policia në rajonin Briansk, rreth 340 kilometra në jugperëndim të Moskës të premten në mbrëmje, por nuk e zbatuan udhëzimin për t’u ndalur, raporton agjencia “Reuters”, trasnmeton Reporteri.net.
“Gjatë ndjekjes janë qëlluar dhe makina është përmbysur. Një terrorist është ndaluar në vend, pjesa tjetër ka ikur në pyll. Si rezultat i kontrollit është gjetur dhe ndaluar një i dyshuar i dytë rreth orës 03:50. për të tjerat vazhdon”, tha deputeti Khinshtein.
Khinshtein tha se një pistoletë, një karikator për një pushkë sulmi dhe pasaporta nga Taxhikistani u gjetën në makinë.
Persona të armatosur të veshur me kamuflazh hapën zjarr me armë automatike në sallën Crocus City në Krasnogorsk pranë kryeqytetit rus të premten, duke vrarë të paktën 60 persona dhe duke plagosur 145 në një sulm të marrë përsipër nga militantët e Shtetit Islamik.
ISIS-i e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm, që është më vdekjeprurësi në Rusi që nga rrethimi i shkollës “Beslan” më 2004. /Reporteri.net/.