Imami kosovar, Drilon Gashi, të cilin Bashkësia Islame e Kosovës me vendim të Myftiut Naim Tërnava e shkarkoi me datë 29 gusht 2019.
Ai pas këtij vendimi thotë se është i papunë dhe nuk ka më as 250 eurot që i merrte si imam për të mbajtur tre fëmijët e tij.
Gashi thotë se nuk sheh asnjë perspektivë në vendlindjen e tij dhe se pasi të bëhet liberalizimi i vizave do të largohet nga Kosova.
“Jam i martuar dhe kam pas vetes edhe tre fëmijë. Deri më tani po jetoja me qera. Nuk shoh më asnjë perspektivë në vendlindjen time, përpos atë ditë kur të bëhet liberalizimi i vizave, edhe të iku diku larg, siç emigroi edhe vëllau im”, ka thënë Gashi për Express, transmeton Reporteri.net.
I pyetur se a do të bëjë ankesë ndaj vendimit të Bik-ut ai thotë se është i zhgënjyer edhe prej drejtësisë në Kosovë.
“Unë para një kohe, kur më suspenduan, bëra një ankesë në Inspektoriatin e Punës, por ajo mu kthye negative. Edhe nëse do t’i padis në gjyq për mohimin e të drejtës dhe lirisë individuale të shprehjes, nuk besoj që do të ketë ndonjë efekt”, ka deklaruar ai. /Reporteri.net/.