×
  • Lajme
  • Lajme / Pa përparim

    Takimi pa rezultat i së martës, Kosova dhe Serbia me propozime “larg njëra-tjetrës” për çështjen e dinarit

    Reporteri
    26 Mars 2024 | 7:24

    Kosova dhe Serbia dje kanë përfunduar edhe një rund bisedimesh, pa arritur përparim për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit u ndalua më 1 shkurt në Kosovë.

    Pas një takimi tre palësh mes Bislimi dhe Petkoviqit, me ndërmjetësuesin e përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian Mirosllav Lajçak, herët në mëngjes, pati edhe një takim ndaras mes palëve, por pa rezultat.

    Pas përfundimit të takimeve, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se mendon që ka nevojë edhe për një takim shtesë për çështjen e dinarit serb, duke shtuar se propozimet që dhanë janë ende larg njëra-tjetrës, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Mendimi im është se këto propozime ende janë shumë larg njëra-tjetrës. Ne tentuam të afroheshim, por si duket ka nevojë për një takim shtesë, ndoshta Lajçak do të ofrojë që ai të mbahet javën e ardhshme”, tha Bislimi.

    Bislimi nuk deshi të japë detaje për propozimet, pasi argumentoi se do të dëmtohej procesi negociues, por tha se ai i Kosovës ishte “konstruktiv”.

    “Mendoj që pala jonë ka nxjerr një propozim shumë konstruktiv që mundëson që mbështetja financiare të shkojë te përdoruesit final, por pa u lënduar në asnjë moment rregullorja e BQK-së dhe korniza legjislative e vendit tonë”, tha Bislimi.

    Në një komunikatë të mëvonshme zyra e Kryeministrit ka njoftuar se Kosova ka dorëzuar propozimet dhe idetë për dinarin, për të cilat specifikon se janë në linjë me rregulloren e BQK-së, ku përmbajtja e së cilës  sipas Qeverisë, nuk diskutohet.

    “Takimet u zhvilluan në format trilateral e bilateral. Tema e takimeve ishte gjetja e një zgjidhjeje për formën e dërgimit të mbështetjes financiare për komunitetin serb, brenda rregullores së Bankës Qendrore. Pala jonë, i ka dorëzuar propozimet e idetë e saj rreth çështjes e në takimet e sotme i prezantoi e argumentoi ato. Propozimet tona janë në linjë me rregulloren e BQK-së, për të cilën ritheksojmë se përmbajtja e së cilës nuk po diskutohet.”, u tha në komunikatë.

    Po ashtu, ZKM ka njoftuar se javën e ardhshme do të zhvillohet një takim.

    “Nga lehtësuesi i procesit është vënë në dukje se propozimet e palëve nuk janë përafruar ende dhe paraqitet nevoja për potencialisht një takim të radhës për javën e ardhshme”, është thënë në njoftim.

    Edhe ndërmjetësi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka folur pas takimin ndërmjet kryenegociatorëve Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq në Bruksel për dinarin, që përfundoi pas ndonjë marrëveshje mes palëve.

    Ai ka paralajmëruar një takim tjetër për javën e ardhshme, ku shpreson se do të gjendet një zgjidhje.

    “Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë kanë prezantuar sot propozimet për rrugën përpara për personat e prekur nga rregullorja e BQK-së për operacionet me para të gatshme. Diskutimet tona të gjata ndihmuan për të sqaruar detaje të rëndësishme. U pajtuam që javën e ardhshme të takohemi me shpresën se do të gjejmë një zgjidhje.”, ka shkruar Lajçak.

    Lajçak paralajmëron takim tjetër për dinarin: Shpresoj të gjejmë zgjidhje

    Takimet e së martës ishin vazhdim i takimit të javës së kaluar, kur të dyja palët u pajtuan për të propozuar një zgjidhje për çështjen e dinarit. Përdorimi i dinarit për pagesa me para të gatshme në Kosovë u ndalua më 1 shkurt, kur Banka Qendrore e Kosovës e futi në fuqi një rregullore të re e cila përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!