Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se letra e tre krerëve shtetëror dërguar raportueses së KiE, Dora Bakojanis, mund të jetë standard para aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, por kurrsesi nuk mund të cilësohet, thotë ai formalitet, siç e quan pushteti, sepse gama e zotimeve në atë letër është shumë e gjërë dhe përfshinë obligime konkrete.
Haradinaj përmend zotimin për themelimin e Asociacionit, duke pyetur se pse ka pasur nevojë të stërzgjatet deri më tani zbatimi i tij, meqë tani paska zotim për ta bërë. Haradinaj përmende dhe zotimin për përmbajtje nga përdorimi i policisë speciale në veri të Kosovës për detyra të zakonshme policore dhe që ato të dislokohen vetëm në rast nevoje, për çka thotë se ka qenë vazhdimisht kërkesë e aleatëve tanë që nuk është respektuar.
Tutje, kreu i AAK-së përmend edhe zotimin për shpronësimet në veri.
Ai thotë se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është ngjarje e madhe dhe hap i rëndësishëm drejt integrimit në BE por shprehet i habitur se si liderët institucionalë të Kosovës, deri me tash kanë shpërfillur kërkesat e njëjta nga nivele shumë të larta të ShBA dhe BE.
“E kuptueshme që letra e tre krerëve shtetëror dërguar raportueses së KiE, Dora Bakojanis, mund të jetë standard para aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, por kurrsesi nuk mund të cilësohet formalitet, siç e quan pushteti, sepse gama e zotimeve në atë letër është shumë e gjërë dhe përfshinë obligime konkrete.
Ata zotohen se do të zbatojnë të gjitha nenet e marrëveshjeve të Brukselit e Ohrit, duke përfshirë edhe Asociacionin. Pyetja është, pse kanë pasur nevojë që deri me tash ta zhagisin zbatimin e kësaj marrëveshjeje e të thonë herë e zbatojmë herë nuk e zbatojmë.Psh. thuhet se liderët institucionalë zotohen se “do të respektohet pavarësia e gjyqësorit dhe do të hiqet dorë nga “kritikat e tepruara ndaj gjyqësorit”. Kjo dmth se këta zotohen të heqin dorë nga diçka që e kanë aplikuar deri me tash.
Aty thuhet “Të përmbahemi nga përdorimi i policisë speciale në veri të Kosovës për detyra të zakonshme policore e të sigurohemi se ato dislokohen vetëm në rast nevoje”, që i bjen se deri me tash nuk e kanë zbatuar këtë standard që aq shpesh është kërkuar nga aleatët tanë.
Zotohen për shpronësimet në veri; Për mbrojtjen e pronave të Kishës Ortodokse Serbe; Për integrimin e pakicave; për gjuhët e tyre, shkollimin tekstet … e kështu me radhë.
Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është ngjarje e madhe dhe hap i rëndësishëm drejt integrimit në BE dhe ndoshta letra e zotimeve drejtuar Bakojanis përfshihet në këtë kuadër, por është e habitshme se si liderët institucionalë të Kosovës, deri me tash kanë shpërfillur kërkesat e njëjta nga nivele shumë të larta të ShBA dhe BE, dhe pikërisht për këtë sot jemi edhe nën sanksione, edhe në marrëdhënie shumë të acaruara me ShBA e BE, edhe të detyruar t’i përsërisim zgjedhjet në veri, edhe të merremi me dinarin, edhe në pozitën më të keqe të mundshme në procesin e dialogut me Serbinë”, shkruan Haradinaj.
Tre krerët e shtetit janë zotuar se do t`i respektojnë të gjitha nenet e Marrëveshjeve së Brukselit dhe të Ohrit, e cila përfshin edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufa dhe kryeministri Albin Kurti i kanë dërguar një letër raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakojanis, ku janë zotuar se do t`i zbatojnë të gjitha masat që i kërkohen Kosovës pasi të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës.
Në letrën e siguruar nga gazeta Nacionale, thuhet se Kosova do të respektojë besnikërisht listën e zotimeve të treguar në shtojcën të cilën ata ia kanë bashkëngjitur letrës. /Reporteri.net/