Sot është dita e gjashtë që malet në Gjakovë janë kapluar nga zjarret, çka kanë kaluar edhe në territorin e Shqipërisë.
Reporteri.net ka siguruar video dhe foto që tregojnë si është gjendja ditën e sotme në malet e Gjakovës.
Ndërsa gjendja ditën e djeshme ishte tejet më alarmante, çka drejtor i Drejtorisë së Emergjencave në Komunën e Gjakovës, Luan Dinaj paralajmëroi se nëse nuk ka ndërhyrje nga ajri situata mund të përkeqësohet dhe të rrezikohen banorët që kanë shtëpitë afër zonave ku ka shpërthyer zjarri, sot fatmirësisht situata është vënë në kontroll.
Reporteri.net ka kontaktuar edhe sot Dinajn për të kuptuar se si është gjendja në fshatrat Babaj i Bokës, Popoc, dhe Ponoshecë, dhe të tjerat ku ka vatra zjarri.
Dinaj ka treguar se në fshatrat Qerret edhe Shishmon ja kanë dalë ta shuajnë zjarrin, çka dhjetë banorë të fshatit të fundit ju kanë dalë në ndihmë.
Ai ka bërë të ditur se nesër do të përforcohen edhe me zjarrfikës nga komunat tjera dhe do ta shuajnë edhe zjarrin që ka mbetur në dy fshatra.
“Tash vetëm në Popoc edhe Ponoshec ka ende zjarr”, ka thënë Dinaj për Reporteri.net.
Kujtojmë se kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur përmes një postimi në Faebook se për shkak të shpërthimit të zjarreve në komunën e Gjakovës, është angazhuar edhe ushtria e Kosovës. /Reporteri.net/.