×
  • Lajme
  • Lajme / Veriu

    Hoxha: Rreziku është aktiv derisa Radoiçiqi është i lirë dhe vazhdon të qëndrojë në kufi të Kosovës

    Reporteri
    26 Mars 2024 | 15:20

    Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha pas Komisionit për Çështjen e Sigurisë ka thënë se në pjesën e mbyllur kanë folur për situatën e sigurisë në veri të Kosovës, për katër komunat veriore si dhe pjesën e policisë, si angazhimet dhe sfidat, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Rreth publikimit të videos së kryeministrit Kurti, ku tha se forca serbe janë parë në kufi me Kosovën, Hoxha tha se nuk mund t’i komentojnë definimet në këtë rast të kryeministrit Kurti, por që siç tha ai Policia e Kosovës i ka kapacitetet e veta në funksion.

    Ai theksoi se ka pasur forca serbe në kufi të Republikës së Kosovës, janë vërejtur nga ta, dhe se janë duke i monitoruar edhe në bashkëpunim me KFOR-in.

    Drejtori i Policisë përmendi edhe kryeterroristin Radoiçiq për të cilin tha se derisa ai është ende i lirë dhe vazhdon të qëndrojë në kufi të Kosovës, atëherë rreziku është aktiv.

    “Nuk mundemi me i komentu definimet e subjekteve politike, në këtë rast edhe të kryeministrit të Kosovës. Policia e Kosovës i ka kapacitetet e veta në funksion, të ngritura në nivelin më të lartë të gadishmërisë, me qëllim që çdo sulm, tentativë për stabilizim të vendit, me i dalë ballë dhe me kry detyrën me sukses. Ka pasur forca serbe në kufi të Republikës Kosovës, i kemi vërejtur, i kemi kapacitetet me i monitoru, faktkisht jemi tu punu në bashkëpunim me KFOR-in atje, duhet me shprehu që mos të kemi telashe serioze. Derisa Radoiçiqi është i lirë dhe vazhdon të qëndrojë në kufi të Kosovës, rreziku është aktiv”, tha Hoxha para gazetarëve.

    Të premten e 22 marsit, Misioni Paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, sot i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, që “të përmbahen nga retorikat përshkallëzuese”.

    “Kemi trefishuar edhe numrin e patrullimeve, përfshirë në vijën kufitare administrative. Qëllimi ynë është ta ndalojmë përshkallëzimin dhe ne jemi të gatshëm dhe të pajisur për t’i ndërmarrë të gjitha masat për ta përmbushur mandatin tonë të OKB-së, për të siguruar mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe lëvizjen e lirë”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it për Gazetën Online Reporteri.net./Reporteri.net/

    KFOR-i bën thirrje për përmbajtje nga retorika përshkallëzuese: Situata në Kosovë është e qetë

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!