×
  • Lajme
  • Lajme / Auditimi

    ZKA-ja auditon shitjet direkte të AKP-së

    Reporteri
    27 Mars 2024 | 14:52

    Zyra Kombëtare e Auditimit ka nisur auditimin e shitjeve direkte të kryera nga Agjencia Kosovare e privatizimit për periudhën 2019-2021.

    ZKA-ja ka njoftuar se shitjet direkte të realizuara që nga viti 2006 i takojnë natyrave të ndryshme si: objekte, toka dhe asete të luajtshme, të cilat gjenden në lokacione të ndryshme dhe kanë vlera të ndryshme.

    “Ky auditim do të vlerësojë nëse procedurat e shitjes direkte të aseteve nën menaxhim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) janë realizuar në mënyrën e duhur, përkatësisht nëse AKP-ja ka qenë efikase në trajtimin e kërkesave për shitje direkte, në trajtimin dhe klasifikimin e aseteve për shitje direkte, si dhe në mënyrën se si është bërë përzgjedhja e vlerësuesve për përcaktim të vlerës së aseteve”, thuhej në njoftim.

    “Duke pasur parasysh ndjeshmërinë e aseteve të ndërmarrjeve shoqërore, rëndësinë që ka ky proces për përmbylljen e likuidimit të ndërmarrjeve si dhe mjedisin në përgjithësi, ZKA-ja vlerëson se është me interes për publikun të bëhet një vlerësim nëse procedurat lidhur me shitjet direkte janë realizuar si duhet”, thuhej më tej.

    Sipas ZKA-së, AKP-ja vazhdon të përballet me kërkesa për blerje të aseteve të cilat janë apo mund të jenë në shfrytëzim të palëve të treta, dhe në këtë rast pamundësohet shitja e tyre përmes procedurës së tenderimit publik.

    Zyra Kombëtare e Auditimit  përmes këtij auditimi synon të bëjë vlerësimin e gjendjes si dhe nëse AKP-ja ka qenë efektive në menaxhimin e shitjeve direkte, duke pasur parasysh rëndësinë e këtij procesi, interesin publik si dhe ndikimin e tyre në mjedisin shoqëror dhe ekonomik.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!