Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka reaguar pas ngjarjes së mbrëmshme ku një person vdiq, derisa sot humbi jetën edhe një grua e cila kishte rastisur në veturën e saj, si pasojë e përleshjes mes dy grupeve në lagjen Kolovica në Prishtinë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Bajrami ka thënë se duhet urgjentisht të merren masa për sigurinë e qytetarëve.
Në një postim në Facebook, deputetja e LDK-së thotë se krimi në vendin tonë ka marrë hov dhe kriminelët jo rrallë herë lihen të lirë.
Postimi i plotë:
Urgjentisht të merren masa për sigurinë e qytetarëve
Mbrëmë një grua e moshës 48 vjeçare është vrarë pranë shtepisë së saj, në veturën e saj.
Kjo është e papranushme, krimi në vendin tonë ka marrë hov, e kriminelët jo rrallë po lihën të lirë. Vrasësit rrallë e fillojnë rrugën e krimit me vrasje, janë disa hapa që ata bëjnë në rrugën e tyre të errët duke testuar sistemin. Meqë për plot vepra lihën të lirë ata përserisin dhe e rrisin krimin. Kjo është e papranushme!
Ngushëllime familjeve të viktimave, thirrje institucioneve që mos të lënë krim pa ndeshku as kriminel të lirë!
Siguria është e drejtë elementare njerëzore.