Aventura për një 43-vjeçare kroate në malin e Jezercës në Shqipëri, ka përfunduar tragjikisht. Ajo ka rënë nga një terren i thepisur malor dhe me borë, e për pasojë ka gjetur vdekjen.
Viktima është identifikuar si Z. L., 43 vjeçe, e cila kishte ardhur së bashku me një grup aplinistësh, raportojnë mediat në Shqipëri.
Aplinistja ka rrëshqitur nga një lartësi dhe për pasojë kishte humbur jetën. Pas disa orësh kërkimesh, është bërë e mundur gjetja e trupit të saj dhe do transportohet me helikopter, drejt morgut. Ndërkohë, vijon operacioni i shpëtimit, mbështetur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes, për të bërë të mundur nxjerrjen e turistëve të tjerë, nga vendi ku janë bllokuar. Deri më tani nuk dihet numri i turistëve të zhdukur.
“Salla Operative e Komisariatit të Policisë Tropojë ka marrë njoftim nga një grup aplinistësh, që mendohet të jenë shtetas kroatë, të cilët janë ngjitur nga territori i Malit të Zi, për të mbërritur në vendin e quajtur “Maja e Jezerces”, se njëra nga anëtaret e grupit kishte rënë nga një terren i thepisur malor dhe me borë.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, së bashku me ekipin mjekësor të spitalit të Tropojës dhe ekipin e kërkim-shpëtimit, janë nisur bashkë me helikopterin e Emergjencave Civile, drejt adresës së dhënë. Pas disa orësh kërkime nga shërbimet e Policisë, turistët u lokalizuan në vendin e quajtur “Maja e Jezerces”.
Turistja kroate, shtetasja Z. L., 43 vjeçe, për shkak të terrenit të thepisur malor, ka rrëshkitur nga një lartësi dhe për pasojë kishte humbur jetën. Nga ekipi i kërkim-shpëtimit është bërë e mundur nxjerrja e trupit të pajetë dhe do transportohet me helikopter, drejt morgut. Vijon operacioni i shpëtimit, mbështetur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes, për të bërë të mundur nxjerrjen e turistëve të tjerë, nga vendi ku janë bllokuar”, thuhet në njoftimin e policisë.