×
  • Lajme
  • Lajme / 31 marsi 1999

    Kurti: Ende mungon pranimi i së vërtetës nga Serbia dhe drejtësia për krimet gjatë luftës në Kosovë

    Reporteri
    31 Mars 2024 | 14:50

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një postim në Facebook ka përkujtuar Albion Kumnovën, Artan Efendijën, Gëzim Deva, Lutfi Bunjakun, Bekim Bunjakun dhe Shkëlzen Binishin në 25-vjetorin e vrasjes së tyre, shkruan Reporteri.net.

    Kryeministri ka thënë se Serbia ua rrëmbeu edhe kufomat në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimit.

    “Ende mungon pranimi i së vërtetës nga Serbia dhe drejtësia për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Mbi 950 shqiptarë janë eksumuar nga pesë varreza masive në Serbi e janë nxjerrë nga lumenjtë e liqenet ku Serbia u mundua ta fundoste të vërtetën e saj”, ka shkruar mes tjerash Kurti.

    Postimi i plotë:

    Më 31 mars 1999, në shtëpinë e familjes Kumnova në Gjakovë, hynë dhunshëm forcat e armatosura serbe.

    Nga aty rrëmbyen gjashtë burra e djem civilë: Albion Kumnova, Artan Efendija, Gëzim Deva, Lutfi Bunjaku, Bekim Bunjaku dhe Shkëlzen Binishi. Pasi i rrëmbyen, ata i vranë dhe i zhdukën. Serbia ua rrëmbeu edhe kufomat, në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimit. Në vitin 2011, trupat e tyre u gjetën në Batajnicë në periferi të Beogradit. Mes tyre nuk ishte Albioni.

    Albioni ishte 21 vjeç. Sot bëhen 25 vjet nga zhdukja e tij. Ҫerek shekulli pritje e përpjekje për të vërtetën për të zhdukurit me dhunë nga Serbia.

    Ende mungon pranimi i së vërtetës nga Serbia dhe drejtësia për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Mbi 950 shqiptarë janë eksumuar nga pesë varreza masive në Serbi e janë nxjerrë nga lumenjtë e liqenet ku Serbia u mundua ta fundoste të vërtetën e saj.

    Si Qeveri e Republikës së Kosovës, ritheksojmë zotimin tonë për të mos reshtur së kërkuari ndriçimin e së vërtetës dhe drejtësi për krimet e luftës.

    Sot, në këtë përvjetor, duke përkujtuar të birin e vetëm të familjes Kumnova, kujtojmë më të dashurit e familjeve të shumta të popullit tonë të cilët u rrëmbyen e zhdukën me dhunë nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit. Nderojmë sakrificën për shtetin tonë të lirë.
    Qëndresa e Nënës Nesrete dhe Bacës Muharrem Kumnova na mbanë të fortë të gjithëve.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!