Në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri Albin Kurti i ka bërë thirrje sistemi të drejtësisë për trajtim me urgjencë të rasteve të krimeve të kryera gjatë luftës, shkruan Reporteri.net.
Kreu i qeverisë ka thënë se këto krime nuk vjetërsohen, mirëpo dëshmitarët janë gjithnjë e më të moshuar.
“Kemi mundësuar gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës që nga viti 2019. Andaj nga këtu i bëj thirrje edhe një herë sistemit të drejtësisë për trajtim me urgjencë të rasteve të krimeve të kryera gjatë luftës, po e ritheksojmë këto krime nuk vjetërsohen, mirëpo dëshmitarët janë gjithnjë e më të moshuar”, ka thënë kreu i Qeverisë.
Kryeministri Kurti tha se gjatë vitit 2023 hetuesit e krimeve të luftës i kanë intervistuar 191 dëshmitarë, derisa vetëm në muajt e parë të 2024, ai tha se janë intervistuar 169 dëshmitarë.
“Për të dokumentuar me saktësi të gjitha krimet meqenëse shpesh herë kemi shpërputhje të të dhënave nga burime të ndryshme kemi funksionalizuar Institutin e Krimeve të Kryera gjatë luftës në Kosovë. Aty ka shumë punë dhe do të bëjmë shumë punë. Krahas thirrjes për të deponuar sa më shumë dëshmi për krimet e kryera kudo në Kosovë në institutin e themeluar u bëjë thirrje qytetarëve t’i përgjigjen pozitivisht regjistrimit të popullsisë”.
“Për adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës ne e kemi zhvilluar bazën ligjore që kishte munguar për shumë kohë, i kemi rritur kapacitete e institucioneve për adresim efikas të tyre. Gjatë vitit 2023 hetuesit e krimeve të luftës i kanë intervistuar 191 dëshmitarë kjo vjen me rritjen e numrit të hetuesve, vetëm në muajt e parë të këtij viti janë intervistuar 169 dëshmitarë, kemi mundësuar gjykim të krimeve të luftës”./Reporteri.net/