×
  • Lajme
  • Lajme / Mbledhja e qeverisë

    Qeveria ndan 4 milionë euro për ndërtimin e shtëpive për komunitetet pakicë në veri

    Reporteri
    02 Prill 2024 | 16:53

    Qeveria e Kosovës ka ndarë katër milionë euro për subvencionimin e ndërtimit të shtëpive për pjesëtarët e komuniteteve pakicë në katër komunat veriore. Ekzekutivi në mbledhjen e sotme miratoi Projektligjin për marrëveshjen kornizë ushtarake me Turqinë, ndërkaq i dha dritë të gjelbër udhëzimit administrativ për parandalimin dhe ndalimin e formave të rrezikshme të punës së fëmijëve në Kosovë.

    Kryeministri Albin Kurti tha se familjet e komuniteteve pakicë që janë në gjendje të rëndë sociale në komunat Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan do t’iu subvencionohet qind për qind ndërtimi i shtëpive të reja.

    “Pas thirrjes thirrjes publike të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për ndërtimin e shtëpive për pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë, që janë në gjendje të rëndë sociale me kushte të rënda banimi, ka kërkesë për ndarjen e mjeteve shtesë në vlerën e katër milionë eurove të cilat përdoren për subvencionimin qind për qind për ndërtimin e shtëpive për qytetarët tanë në katër komunat veriore”, tha Kurti.

    Ndërkaq,ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci tha se marrëveshja me Turqinë parasheh bashkëpunim në stërvitje dhe edukim ushtarak, industri të mbrojtjes dhe shkëmbim të inteligjencës ushtarake.

    “Kjo marrëveshje parasheh bashkëpunimin në këto fusha: Stërvitje dhe edukim ushtarak, industri të mbrojtjes, shkëmbim të inteligjencës ushtarake, mjekësi ushtarake dhe operacione paqeruajtëse dhe humanitare”, theksoi ministri Ejupi.

    Në anën tjetër, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tregoi në detaje se çka do të ndalohet si formë e rrezikshme e punës për fëmijët në Kosovë.

    “Puna gjatë orarit të natës, prej orarit 22:00 deri në 06:00 të mëngjesit, ngritja dhe bartja e peshave të rënda, po ashtu ngritja dhe bartja e vazhdueshme e peshave mbi 10 kg, por bën dallime tek djemtë dhe vajzat. Puna në thellësi në sipërfaqe të tokës, nën ujë dhe vende të mbyllura. Puna në lartësinë mbi 2 metra dhe ekspozimi ndaj temperaturave ekstreme të larta dhe ulëta”, theksoi ajo.

    Krahas kësaj, qeveria miratoi edhe marrëveshjen ndërkombëtare me BERZh, në vlerë 20 milionë euro, në lidhje trajtimin e ujërave të zeza në Ferizaj.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!