×
  • Lajme
  • Lajme / Konfiskimi

    Haxhiu: 31 mjetet transportuese që u konfiskuan në rastin “Banjska” i janë dhënë në shfrytëzim Policisë së Kosovës

    Reporteri
    04 Prill 2024 | 13:17

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se 31 mjetet e konfiskuara në rastin “Banjska”, i janë dhënë në shfrytëzim Policisë së Kosovës për nevojat që i kanë.

    Haxhiu këtë deklaratë e dha teksa foli për  nisjen e zbatimit të Urdhrit Ndalues lidhur me pasuritë e paluajtshme në rastin Banjska. Haxhiu bëri të ditur se bëhet fjalë për 31 mjete transportuese.

    “Sa i përket mjeteve transportuese, të gjitha i janë dhënë Policisë së Kosovës, por sa i përket pasurive të sekuestruara, në këtë fazë legjislacioni nuk na lejon që t’i japim në shfrytëzim për policinë, por sapo ta kemi vendimin përfundimtar nga gjykata, sigurisht se do t’i jepen në shfrytëzim Policisë së Kosovës”, tha ajo para mediave.

    Haxhiu tha se është befasuese  se si ende pas sulmit ne Banjskë, nuk ka aktakuzë për kryekriminelin Millan Radojiçiq dhe grupin e tij.

    Më 24 shtator të vitit të kaluar,  një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë kur persona të armatosur, rreth 30 sosh, sulmuan njësitet policore në fshatin Banjskë – zonë e banuar me shumicë serbe në veri të vendit.

    Policia e Kosovës pasi mori nën kontroll Manastirin në fshatin Banjskë gjeti një sasi të madhe armatimi dhe mjetesh ushtarake, në mesin e tyre edhe automjete me mbishkrimin KFOR.

    Përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur e pati marrë Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës. Ai u lirua nga Gjykata e Lartë e Serbisë, një ditë pasi u ndalua nën dyshimet se ka kryer një sërë veprash – përfshirë trafikim armësh dhe krime kundër sigurisë së përgjithshme.

    Radoiçiq, ndodhet tashmë në sistemin e organizatës më të madhe ndërkombëtare të policisë, INTERPOL për urdhërarrest. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!