×
  • Lajme
  • Lajme / Një i vdekur dhe dy të plagosur

    Sulmi në Finlandë, MPJD për Reporteri: Vajza nga Kosova që u plagos është në gjendje jo të mirë shëndetësore

    Autor:Linda Ibrahimaj
    04 Prill 2024 | 19:34

    Nga sulmi në shkollën “Viertola” në Finlandë, ku mbeti i vdekur një fëmijë, në mesin e dy vajzave të plagosura, është edhe një nga Kosova. Por, kjo e fundit dy ditë pas sulmit, është në gjendje jo të mirë shëndetësore.

    Kështu kanë thënë për Gazetën Online Reporteri.net nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

    MPJD ka bërë të ditur se është në kontakt të vazhdueshëm me një familjar të të plagosurës, dhe informatat e fundit tregojnë për një gjendje jo të mirë të saj.

    “Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nëpërmjet Ambasadës në Stokholm ka kontaktuar dhe është në kontakt të vazhdueshëm me anëtarin e ngushtë të familjes së vajzës së plagosur dhe sipas informatave të fundit të pranuara nga anëtari i ngushtë i familjes ajo është në gjendje jo të mirë shëndetësore”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së për Reporteri.net.

    Një 12-vjeçar dyshohet se kreu sulmin e së martës në mëngjes në një shkollë në Finlandë, e motivi ishte bullizmi, kanë konfirmuar policia.

    Ditën e sotme, policia finlandeze konfirmoi poashtu se 12-vjeçari e kishte përgatitur paraprakisht këtë akt.

    Sipas policisë, në kontrollet e aparatit në telefon dhe kompjuter janë gjetur materiale që mbështesin mendimin se 12-vjeçari e ka planifikuar sulmin paraprakisht.

    “Në hetimin paraprak kanë dalë në dritë fakte që tregojnë për planifikimin e aktit”, thotë Komisioneri për Krimet, Marko Särkkä në një deklaratë për shtyp.

    Dalin detaje të reja për ngjarjen tragjike në Finlandë, 12-vjeçari e kishte planifikuar sulmin

    Policia nuk specifikon se për çfarë materiali bëhet fjalë.

    Në këtë shkollë, ka edhe nxënës kosovarë.

    Nëna e një prej vajzave që ndjek mësimet në këtë shkollë ka thënë për Gazetën Online Reporteri.net, një ditë pas sulmit, se janë të tronditur me atë se çfarë ka ndodhur.

    Ditën kur ndodhi sulmi ajo ka thënë se janë informuar nga shkolla se kur mund t’i merrnin fëmijët.

    Poashtu ajo ka treguar se të mërkurën dhe të enjten nuk do të zhvillojnë mësim, por që do të shkojnë nga tri orë vetëm për të diskutuar se si të sillen me shokë e shoqe në shkollë.

    “Doli shëndosh e mirë”, flet për Reporteri.net nëna e cila ka vajzën në shkollën ku ndodhi sulmi në Finlandë

    Policia finlandeze arriti ta arrestoj të dyshuarin pesë kilometra nga vendi ku ndodhi ngjarja tragjike.

    Në konferencën për media, u tha se në momentin e arrestimit ai ishte me armë, dhe i qetë. Siç u bë e ditur nga ta arma ishte me leje dhe i përkishe një familjari të tij./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!