×
  • Lajme
  • Lajme

    Deputetja e LDK-së pas takimit për dinarin: Bislimi thoshte se nuk e diskutojmë këtë temë as këtu e as jashtë

    Reporteri
    04 Prill 2024 | 22:15
    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, e në veçanti kryenegociatorin Besnik Bislimi, se çështjen e dinarit e bëri temë të madhe që u diskutua deri në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

    Ajo ia ka kujtuar Bislimit zotimet se për dinarin nuk do të diskutohet, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Qeveria e Bislimit e bëri temë dinarin. Për pasojë kjo temë mbërriti në Këshill të Sigurimit ku edhe vendet mike e kritikuan vendin tonë për herë të parë. E njëjta temë po diskutohet në Bruksel. A ju kujtohet kur Bislimi thoshte se nuk e diskutojmë këtë temë as këtu e as jashtë?Edhe sot Bislimi ishte në Bruksel duke diskutuar për këtë temë. Koncetrohu Bislim!”, ka shkruar ajo.

    Sot, Bislimi me ndërmejtësimin e Bashkimit Evropian u takua me Petar Petkoviqin, ku u diskutua për cështjen e dinarit.

    Pas takimit Bislimi tha se Kosova u pajtua me një propozim të bërë nga ndërmjetësi Lajçak. Ai ka theksuar se Kosova është pajtuar me një propozim që e ka nxjerrë ndërmjetësi Lajçak, për dinarin serb.

    Ai tha se Serbia nuk ishte e gatshme të bënte kompromis.

    “Duke parë pamundësinë e arritjes së një kompromisi, Lajçak ka nxjerr një propozim të konsoliduar, për të cilin ne besojmë se është propozim konstruktiv dhe në rrugën e duhur për të gjetur zgjidhje e cila më së shumti i shkon përshtati qytetarëve serbë në Kosovë, por në të njëjtën kohë respekton Rregulloren e BQK-së”, ka thënë Bislimi.

    Sipas tij, ky takim është caktuar me idenë që palët të reflektojnë.

    “Pala serbe ka kërkuar më shumë kohë për arsye se nuk kanë pasur kompetenca në vendimmarrje. Javën e kaluar i është bërë e qartë palës serbe se takimi i radhës mund të mbahet vetëm nëse vijnë me ide për kompromis. Fatkeqësisht, edhe sot kemi pas dallime të mëdha”, tha fillimisht Bislimi .

    Po ashtu, Bislimi tha se pala kosovare ka diskutuar për opsionet me të cilat qytetarët serbë mund të marrin mbështetje financiare edhe më tej nga Serbia.

    “Pala serbe ka vepruar si avokate e Bankës së Postës serbe dhe gjithë kohës kanë diskutuar se si të rregullohet licencimi i kësaj banke, e cila nuk është as kompetencë e as interes e palëve të përfshira”, u shpreh Bislimi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!