×
  • Lajme
  • Lajme / Shifrat

    “Ministër i dështimeve dhe mashtrimit”, “çka ju desh të flisni me Radojçiçin”, reagimet e zyrtarëve të LDK-së ndaj Muratit pasi u përplas me Abdixhikun 

    Reporteri
    06 Prill 2024 | 8:43

    Një tjetër përplasje për shifrat ka ndodhur mes Qeverisë, konkretisht ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, me partinë opozitare LDK-në.

    E gjitha nisi pas një adresimi që bëri kreu i LDK-së, Lumir Abdixhikut, përmes një video-mesazhi, ku tha se çdo postim i Qeverisë dhe çdo deklarim i tyre është i mbushur me propagandë, ndërsa akuzoi Qeverinë e Kosovës se vetë gjatë kësaj jave ka nënshkruar shtatë tenderë sekret, shkruan Reporteri.net.

    “Merreni për shembull temën e investimeve kapitale ku thonë se janë më të lartat në histori, për të bërë vetën të duken më mirë besoni ose jo i llogarisin edhe investimet e komunave, aty ku ne si LDK kemi rol qeverisës”, ka thënë Abdixhiku.

    Ai u shpreh se “investimet e Qeverisë në këto tre vitet e fundit janë vetëm 11%, më të ulëta në historinë e Kosovës. Ose merreni për shembull propagandën e tyre rreth Byrosë së Konfiskimit të Pasurisë tek rasti i konfiskimit të aseteve të Radoiçiqit, në të cilin përndryshe kanë folur vet këta. Por për Byronë thonë se po e bllokon opozita”.

    “Byronë e Konfiskimit të Pasurisë e ka votuar LDK-ja, e di sepse e kam votuar vet. Sepse isha aty sepse pushteti s’kishte vota për ta votuar atë. Vetëm falë votave tona u votua Byroja e Konfiskimit të Pasurisë. U votua sepse e kishim program tonin elektoral, ishte ide e jona fundja. Sepse besojmë se hajnat duhet vërtetë të jenë në burg”, ka shtuar ai..

    Kreu i LDK-së a thënë se “kur jemi tek hajnat dhe tek burgu vetëm gjatë kësaj jave, vetëm për 5 ditë pune janë nënshkruar plot 7 tenderë të rinj sekret në këtë Qeveri. 4.1 milionë euro të reja janë dhënë në tavolinë sy më sy. Më s’janë 781 kontrata janë 788, më s’janë 209 milionë euro, janë 213 milionë euro”, tha Abdixhiku.

    Nuk vonoi shumë dhe reagoi ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili tha se “Janë çu i madh e i vogël në LDK tash e disa ditë duke dredhë numra e grafikona, vetëm e vetëm që t’a bindin ndokë se rrenat e tyre janë të vërteta”, ndërsa shtoi se “në fakt, kjo çfarë po bën LDK-ja është vetë definicioni i propagandës – që një rrenë duhet të përsëritet mjaftueshëm derisa të fillojë të bëhet e besueshme”.

    Postimi i gjatë i Muratit:

    Për investimet kapitale, të vërtetën e thotë raporti zyrtar financiar, i cili edhe auditohet- investimet kapitale buxhetore për vitin 2023 janë 561 milionë euro.

    Lumiri në anën tjetër po mundohet të na bindë që kjo nuk qenka e vërtetë sepse sipas tij ne i paskemi llogaritë edhe investimet e realizuara nga komunat, e që sipas tij “shumica udhëhiqen nga LDK-ja”.

    E para, investimet kapitale buxhetore çdoherë llogariten duke përfshirë të gjitha nivelet. Për analiza më të detajuara, mund edhe të bëhet zbërthim në mes të nivelit qendror a lokal, e madje edhe njësi për njësi. Ju mund të bëni çfarëdo zbërthimesh që doni, përderisa e shpalosni saktë se çfarë shifra po prezantoni. Por kushdo që thotë se investimet kapitale buxhetore për vitin 2023 nuk janë 561 milionë euro, po e thotë të pavërtetën.

    E dyta, nëse investimet kapitale të komunave në vitin 2023 qenkan 210 milionë euro, kurse në vitin 2017, që LDK-ja e merr si referencë, kanë qenë 110 milionë euro, atëherë demantu për demantu, kjo e demnaton vetëm propagandën e opozitës që komunat nuk po përkrahen me buxhet nga Qeveria Kurti. Pra me fjalë të veta, LDK po e pranon që në Qeverinë Kurti komunat kanë pasur dyfish më shumë buxhet sesa kur ka qeverisur LDK-ja.

    Dhe e treta, Lumiri na bën pak me humor për investimet kapitale në komunat e LDK-së 🤦‍♂️. Në Komunën e Prishtinës, ku deri së fundmi i kishim bashkë LDK e PDK, dhe ku e kishin shansin ideal të tregonin shembullin se sa të aftë janë për qeverisje, për vitin 2023 realizimi i buxhetit për investime kapitale ka qenë 42%. Vetëm Fushë Kosova është më keq. Këtu me sa shihet nuk u ka ndihmuar fare as konsulenca e shtrenjtë deri në abuzim, në vlerë 12 milionë euro. (A na tregon Lumir cili është rezultati i kësaj konsulence tash e një vit, me kosto 4 milione euro/vit?)
    Për tenderët, të vërtetën e thotë ligji për prokurim publik, më saktësisht nenet 34 dhe 35 për Kontratat me Negocim Direkt. Pra secili prokurim me negocim direkt e ka bazën në ligj.

    Por Lumiri, flet për “tenderë sekret” a “tenderë njëburimorë” vetëm e vetëm që të krijohet përshtypja tek qytetari që nuk e njeh ligjin e prokurimit, se paska diçka në këtë far pune. Mirëpo Lumiri ka mjaftueshëm njohuri sa ta dijë që këto shprehje “sekret” e “njëburimorë” as nuk ekzistojnë fare në ligj, dhe as nuk përshkruajnë saktë kontratat e negociuara, sepse mund të ketë negocim edhe me më shumë se një operator. Dhe megjithatë Lumiri i përdorë këto shprehje. Pra çfarë tjetër mund t’i thuhet kësaj, kur dikush qëllimshëm mundohet të deformojë të vërtetën, përveçse propagandë Lumir?!

    Lumiri flet edhe për mbi 200 milionë euro kontrata të qeverisë, duke mos treguar qëllimshëm se bëhet fjalë për 3 vite, dhe duke mos përmendur se ministritë e komunat përbëjnë më pak se gjysmën. Por nëse flitet e vërteta atëherë nuk i zgjon kurreshtjen askujt. Fundja, rrena duhet të jetë aq shokuese saqë qytetari të mendojë se për një gjë kaq të madhe nuk do të bëhej hajgare. Pra kur përmenden “200 milionë euro tenderë sekret”, diçka duhet të ketë aty, mund të mendojë ndokush.

    E kam shikuar në ministrinë që drejtoj, dhe prokurimi më i madh përmes kontratës së negociuar ishte për sigurimin dyvjeçar të mirëmbajtjes së sistemit të menaxhimit të financave publike (sistemi kryesor financiar i shtetit). Kontrata e tillë mund t’i ipet vetëm operatorit që ka dizajnuar sistemin, sepse nuk mund të shpallet tender për mirëmbajtje të një sistemi që vetëm një operator mund t’a ofrojë. Kjo është bërë kështu edhe kur kanë qenë ministra e qeveri tjera, sepse s’mund të bëhet ndryshe. Por Lumiri tash kësaj i thotë “tender sekret”, sepse ashtu e don propaganda.
    Dhe për fund, për t’i vënë kapak propagandës, mjafton të shikoni pëlqimet në statusin e Lumirit. Shumica dërmuese e personave që kanë pëlqyer postimin e tij janë profile false.
    Nuk bën kështu, Lumir. Kjo do të të falej nëse garon për kryetar klase, por kjo nuk është e denjë për dikë që pretendon të garojë për kryeministër.

    Pas këtij reagimi të ministrit Murati ndaj Lumir Abdixhikut, kanë pasuar një seri reagimesh nga zyrtarë të LDK-së që i kanë dalë në mbrojtje kryetarit të tyre, shkruan Reporteri.net.

    Dputetja Hykmete Bajrami, e cila e ka quajtur Hekuran Muratin “Ministër të dështimeve kapitale”, që e arsyeton korrupsionin qeveritar.

    “Ministri i dështimeve kapitale po e arsyeton korrupsionin qeveritar
    Qeverinë e dështimeve, të korrupsionit, të tenderëve njëburimor dhe të tenderëve sekret e ka kapur paniku se po i dalin për çdo ditë dështimet në shesh.
    Më së shumti kanë nisur të brengosën ministrat që kanë shënuar rekorde dështimi. Njëri prej tyre është Hekuran Murati, i cili po tenton të mbulojë krimin e korrupsionin me tenderët njëburimor dhe dështimet në investime kapitale.
    Në vend të 160 çerdheve e keni ndërtuar një urë. Do të mbaheni mend si Qeveria e “Urës së Staradranit”.
    Keni premtuar ulje të çmimit të energjisë elektrike, e do të mbaheni mend që keni ngritur çmimin për ta ndihmuar Martin Berishajn.
    Hajde përkraheni Komisionin Hetimor për tenderët njëburimor dhe ta shohin të gjithë krimin e korrupsionin që ka kapluar këtë Qeveri.
    Jeni të paaftë, të korruptuar dhe s’mund të fshiheni prapa askujt sepse tanimë të gjithë ju njohin. Dhe po e dimë që po të pengojmë por s’do të ndalemi – Propaganda nuk kalon!”, ka shkruar Bajrami.

    Ka reaguar edhe nënkryetarja e LDK-së, Doarsa Kica Xhelili, e cila ka thënë se “gjuha shkon ku dhemb dhëmbi”, derisa i ka bërë edhe disa pyetje ministrit Murati.

    “Gjuha shkon ku dhemb dhëmbi, Ministër Murati. E gjuha jote se ç’është zënë ngërq te LDK-ja.
    Por meqë paske përmbledhur verzion të ri të propagandës 2.0 tani që 1.0-shin ua çmontuam, a po na përgjigjesh çka ju desh të flisni me Radojçiçin, pronat e të cilit sot lavdëroheni që janë konfiskuar?
    Pastaj, përgjigju çka ju desh t’i suspendoni policët, që kërkuan t’i konfiskohet telefoni njeriut tuaj në KEK?
    Pastaj përgjigju pse gënjen kur thua që nuk ta votuam Byronë?
    E pastaj përgjigju PSE s’po e votoni komisionin hetimor për kontratat njëburimore nëse s’keni çka të fshihni?
    E rrugës, përgjigju edhe si u bë që brenda javës t’i nënshkruani edhe 3 kontrata shtesë sekret në vlerë 4 milionë euro PASI nuk pranuat të hetoheni për 209 milionshin paraprak?
    E krejt në fund, Ministër, ai SCREENSHOT i kryetarit që e paske zgjedhur si foto, ndoshta e bën foton pak të çuditshme, por kurrsesi nuk i bën tentativat tua të shpërlarjes së propagandës më pak qesharake”, ka shkruar ajo.

    Edhe deputeti i LDK-së, Besian Mustafa,  i ka reaguar Muratit, duke thënë se ky i fundit mashtron edhe në mesnatë, shkruan Reporteri.net.

    “Murati Ministri i Mashtrimit mashtron edhe në mesnatë!
    Hekuran, pasi e paske përdorë fjalën “rren”, pse po rren ti?
    Qe t’i shpalosim hajnitë e tua me kontrata sekrete:
    – Me kontrata sekrete i ke shpenzu 428.192 euro për qera të veturave!
    – Me kontrata sekrete i ke shpenzu 441.703 euro për sigurimin fizik të objekteve!
    – Me kontrata sekrete i ke shpenzu 170,754 euro për konsulenta, eksperta dhe programera!”, ka shkruar ai.

    Një reagim ndaj Muratit ka ardhur edhe nga zyrtari tjetër i LDK-së,  Berat Rukiqi, i cili duke ju adresuar postimit të kryetarit të paritsë, Abdixhiku, ka shkruar në Facebook se ka çmonuar propagandën dhe zbuluar rrenën e madhe të ministrit të Financave.

    “Çmontimi i propagandës dhe zbulimi i rrenes së madhe, ka filluar të krijoj dhimbje.
    Nuk kanë faj. Kanë menduar që propaganda i mban në pushtet perjetësisht.
    Faktet dhe numrat janë kokëfortë. Nuk janë numrat tonë. Janë numrat e juaj.
    Ministër, hyn ne webfaqen e Ministrisë që e (keq)menaxhon dhe e gjen të vertetën. Të vertetën që është “ilaç” për propagandën e juaj”, ka shkruar Rukiqi.

    /Reporteri.net/.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!