LDK-ja e Lumir Abdixhikut edhe sot ka vazhduar me serinë e postimeve “Faktet para propagandës”, ku akuzon pushtetin se po propagandon kur po thotë se rritja mestare ekonomike ka qenë 6.2 përqind në tri vjet qeverisje, meqë po e llogaritë edhe rritjen në vitin post-pandemik, shkruan Reporteri.net.
LDK thotë se me trendin e kësaj Qeverise, Kosovës i duhen 40 vite për të arritur Kroacinë dhe plot 80 vite mesataren e Bashkimit Evropian.
“Pa vitin pandemik dhe atë post pandemik, ekonomia e Kosovës është rritur mesatarisht për vetëm 3.6% në vit. Në 10 vitet paraprake, rritja mesatare vjetore ishte 4.7%. Mungesa e investimeve kapitale qendrore (vetëm 11% e buxhetit, rekord i ulët historik) e shpërndarja e plot 811 milionë eurove si ndihmë pa efekt, janë arsyet e një rritje kaq të ulët ekonomike”, thotë LDK në postimin e bërë në faqen zyrtare në Facebook.
Postimi i plotë:
FAKTET PARA PROPAGANDËS
Propaganda: Rritje mesatare ekonomike 6.2% në 3 vjet qeverisje
– Për të përfunduar me numra sa më impresiv, Qeveria llogaritë dhe rritjen ekonomike në vitin post-pandemik. Pra rritjen e krahasuar me vitin e mbylljes totale e merr si meritë.
– Pa vitin pandemik dhe atë post pandemik, ekonomia e Kosovës është rritur mesatarisht për vetëm 3.6% në vit. Në 10 vitet paraprake, rritja mesatare vjetore ishte 4.7%.
– Mungesa e investimeve kapitale qendrore (vetëm 11% e buxhetit, rekord i ulët historik) e shpërndarja e plot 811 milionë eurove si ndihmë pa efekt, janë arsyet e një rritje kaq të ulët ekonomike.
-Me trendin e kësaj Qeverie, Kosovës i duhen 40 vite për të arritur Kroacinë; plot 80 vite mesataren e Bashkimit Evropian.