Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Xhavit Haliti, ka reaguar pas publikimit të sondazhit të UBO Consulting nga gazeta online Reporteri.net.
Ai thotë se ky vit është elektoral dhe të gjitha partitë do ti mprehin shpatat për fitore, ku thotë se për fitore do flasin edhe ato parti të cilat nuk kanë mundësi ta kalojnë pragun.
“Unë nuk dua të paragjykoj UBO-n që ka shpallë sondazhin, është çështje e tyre, por shumë herë këta që bëjnë sondazhe i porosisin edhe rezultatet. Sa është i mundëshem si rezultat është çështje tjetër dhe filozofi në vete. Unë kam parë rezultate që edhe LDK ka dalë e para ndoshta edhe ndonjë rezultat e ka qit PDK-ën, por një gjë dihet, zgjedhjet po afrohen, ky vit është vit elektoral dhe të gjitha partitë do i mprehin shpatat për fitore, për fitore do flasin edhe ato parti që s’kan me arritë me e kaluar as pragun elektoral dhe tri partitë e mëdha, do pretendojnë fitore spektakolare. Prandaj edhe beteja do jetë e fortë dhe nga realistët e parashikueshme”, tha Haliti.
Ai thotë se PDK-ja është duke u bërë gati që të dal e para në zgjedhje.
“Por me shumë të papritura dhe për tifozët dhe udhëheqjen e ndonjë partie do jetë zhgënjyese, sepse për shkak të presionit të brendshëm do të detyrohen të japin dorëheqje. Votuesit në Kosovë do zgjedhin ata kandidat që ju besojnë. Por unë parashoh një proces zgjedhor me shumë sfida për disa arsye të cilat kam frikë që do jetë zhgënjyes. Së pari ligji i zgjedhjeve është bërë shpejtë dhe i pa analizuar, votimi i diaspores dhe rezultatet e këtij votimi do jetë me shumë pikëpyetje. Sidoqoftë pa u thelluar në rezervat që kam për rezultatin e zgjedhjeve sipas këtij sondazhi, Partia Demokratike është duke u përgatitur që të dalë e para në këto zgjedhje. Shpresoj që listat e kandidatëve për zgjedhjet e ardhëshme do jenë të studiuara mirë dhe ata që zgjidhen do i shërbejnë vendit e jo shefit”, tha për Gazeta Blic.
Sondazhi i kryer në kuadër të omnibusit të rregullt, është realizuar para urdhrit të Qeverisë për tokat e manastirit të Deçanit dhe para se PDK-ja ta shpallte Bedri Hamzën kandidat për kryeministër.
Sipas kësaj matje të opinionit publik, AAK-së s’po i kryen punë as koalicioni me NISMA-n sepse vazhdojnë të jenë në rrezik të pragut, duke llogaritur margjinen e gabimit të Omnibusit të fundit të kryer gjatë muajit mars të këtij viti. Koalicioni i këtyre partive ka 6.9 për qind, sipas këtij sondazhi.
Partia me dy kryetarë, Lista “Guxo” vazhdon të jetë e pavërejtshme edhe në këtë sondazh, me 0.6 për qind.
Lista Serbe, sipas këtij sondazhi, del të ketë 5.6 për qind.
4.3 për qind e të anketuarve në këtë sondazh, kanë zgjedhur tjetër opsion kur janë pyetur për partinë politike për të cilën do të votonin.
Në zgjedhjet e fundit nacionale më 14 Shkurt 2021, LVV-ja e kishte marrë 50.28%. Në këto zgjedhje, PDK-ja doli e dyta me 17 për qind. LDK-ja që atëherë udhëhiqej nga Isa Mustafa mori 12.7 për qind të votave. Ndërkaq, AAK-ja kishte marrë 7.1 për qind të votave.