×
  • Lajme
  • Lajme

    Dugolli i VV-së thumbon LDK-në: Sondazhi i UBO-s ju paska nxjerrë punë me luftu me PDK-në për vendin e dytë

    Reporteri
    06 Prill 2024 | 15:22

    Në sondazhin e fundit të realizuar nga kompania UBO Consulting që ka publikuar gazeta online Reporteri.net Lëvizja Vetëvendosje në tre muajt e fundit ka rritje të lehtë me 49.5 për qind, PDK-ja ka rënë pak me 17.1 për qind, ndërsa LDK-ja ka rënie pak më të madhe me 16 për qind, duke u renditur si forca e tretë politike në Kosovë.

    Pas publikimit të këtij sondazhi ka reaguar deputeti i Vetëvendosjes, Enver Dugolli, i cili përmes një postimi në Facebook ka thumbuar LDK-në e Lumir Abdoixhikut, duke thënë se luftën për vendin e dytë me PDK-në nuk do ta ketë të lehtë, shkruan Reporteri.net.

    “UBO ju paska nxjerr punë këtyre të LDK-së sepse luftën për vend të dytë me PDK-në si duket nuk do ta kenë të lehtë.
    Kuptohet, kjo qe shohim këtu është pa diasporen. Nuk po dua të flas më shumë e çka do ndodhë kur t’i shtojmë edhe diasporën…”, ka shkruar Dugolli.

    Sondazhi i kryer në kuadër të omnibusit të rregullt, është realizuar para urdhrit të Qeverisë për tokat e manastirit të Deçanit dhe para se PDK-ja ta shpallte Bedri Hamzën kandidat për kryeministër.

    Sipas kësaj matje të opinionit publik, AAK-së s’po i kryen punë as koalicioni me NISMA-n sepse vazhdojnë të jenë në rrezik të pragut, duke llogaritur margjinen e gabimit të Omnibusit të fundit të kryer gjatë muajit mars të këtij viti. Koalicioni i këtyre partive ka 6.9 për qind, sipas këtij sondazhi.

    Partia me dy kryetarë, Lista “Guxo” vazhdon të jetë e pavërejtshme edhe në këtë sondazh, me 0.6 për qind.

    Lista Serbe, sipas këtij sondazhi, del të ketë 5.6 për qind.

    4.3 për qind e të anketuarve në këtë sondazh, kanë zgjedhur tjetër opsion kur janë pyetur për partinë politike për të cilën do të votonin.

    Në zgjedhjet e fundit nacionale më 14 Shkurt 2021, LVV-ja e kishte marrë 50.28%. Në këto zgjedhje, PDK-ja doli e dyta me 17 për qind. LDK-ja që atëherë udhëhiqej nga Isa Mustafa mori 12.7 për qind të votave. Ndërkaq, AAK-ja kishte marrë 7.1 për qind të votave.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!