×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti takon deputetin e parë shqiptar në Suedi, flasin edhe për anëtarësimin e Kosovës në KiE

    Reporteri
    08 Prill 2024 | 15:11

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendësministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, mirëpriti sot deputetin shqiptar të parlamentit suedez, Adnan Dibranin dhe Arbër Gashin, aktualisht i përfshirë në qeverisje lokale në Suedi dhe i cili është në pritje të bëhet deputet në parlamentin suedez në rast të zgjedhjes së Adnan Dibranit në Parlamentin Evropian. Ata po shoqëroheshin nga Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, njofton kumtesa e Kryeministrisë, përcjell Reporteri.net. 

    Në njoftim thuhet se bashkëpunimi me diasporën, roli i tyre dhe ndërlidhja me vendin, si edhe anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, ishin temat qendrore të takimit.

    “Pas suksesit në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci, me 16 prill, aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do t’i nënshtrohet votës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Kryeministri Kurti falënderoi Suedinë për mbështetjen e vazhdueshme dhe deputetët suedezë për angazhimin e tyre në kandidaturën e Kosovës në këtë organizatë të rëndësishme. Adnan Dibrani është njëri nga deputetët, që përfaqëson Suedinë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, thuhet në kumtesë.

    Kurti ka shkruar edhe në X se Dibrani është edhe kandidat për zgjedhjet në Parlamentin Evropian, duke thënë se “pjesëmarrja politike e diasporës është e lavdërueshme dhe për t’u inkurajuar”.

    “Sot u takova me shqiptarin e parë që është bërë deputet në Suedi, Adnan Dibranin, i cili është edhe kandidat për zgjedhjet për Parlamentin Evropian, si dhe Arbër Gashin, aktualisht në pushtetin lokal në Suedi. Pjesëmarrja politike e diasporës sonë është e lavdërueshme dhe për t’u inkurajuar”, ka thënë kryeministri.

    Në anën tjetër, në kumtesën për media, theksohet se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës po vazhdon me angazhimin intensiv në sigurimin e mbështetjes për votim të suksesshëm në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe për përfshirje në agjendë dhe votim të suksesshëm në Ministerialin e Këshillit të Evropës në muajin maj.

    “Gjatë takimit u diskutua edhe për zgjedhjet evropiane, që do të mbahen në qershor të këtij viti dhe për rëndësinë e pjesëmarrjes sa më të madhe të diasporës shqiptare në këto të zgjedhje. Deputeti Dibrani dhe z.Gashi u shprehën mirënjohës për mikpritjen dhe takimin dhe shprehën gatishmërinë e tyre për bashkëpunim edhe më të ngushtë përgjatë procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, por jo vetëm”, thuhet në përfundim.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!