Në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës rreth orës 17:30, ka filluar diskutimi lidhur me raportin për anëtarësimin ose jo të Kosovës në këtë organizatë. Në fund, pritet edhe votimi i raportit, përcjell Reporteri.net.
Dora Bakoyannis, e cila edhe e ka përpiluar këtë raport, tha se gjatë punës së saj, asnjë “gur nuk ka mbetur pa u lëkundur” në përgatitjen e raportit dhe tha se është konfirmuar se, pavarësisht disa mangësive, Kosova është demokraci funksionale duke i bërë thirrje Këshillit të Ministrave të ftojë Kosovën të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.
Ajo ka thënë se juristët kanë konfirmuar qëndrimin se Kosova i përmbush kërkesat bazike për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Bakoyannis shpjegoi se raporti nuk prek çështjen e njohjes apo mosnjohjes së Kosovës dhe se kjo çështje duhet të mbetet kompetencë e shteteve.
Bakoyannis ka përmendur hapat që ka bërë Kosova për t’i përmbushur kushtet, përfshirë edhe zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronësinë e Kishës Ortodokse serbe në Deçan. Këtë e ka quajtur si “problemin më të madh në zbatimin e ligjit në Kosovë që ka pritur nga viti 2016”.