Shefi i EULEX-it në Kosovë, Pietro Barbano përmes një postimi të bërë në platformën “X” ka thënë se në koordinim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in po monitorojnë situatën e sigurisë në katër komunat veriore ku po zhvillohet procesi i votimit për largimin e kryetarëve, shkruan Reporteri.net.
“Në koordinim me PK-në dhe KFOR-in, #EULEX-i është duke monitoruar situatën e përgjithshme të sigurisë rreth vendvotimeve në 4 komunat ku po zhvillohet votimi për tërheqjen e kryetarëve”, ka shkruar ai në “X”.
Se situata është e qetë dhe gjithçka është në rregull tha sot për gazetën online Reporteri.net edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.
In coordination with KP and KFOR, #EULEX is monitoring the overall security situation around the polling stations in the 4 municipalities wherein the vote on the recall of mayors is taking place.
— Giovanni Pietro Barbano (@EulexHoM) April 21, 2024
Deri rreth orës 12:00, Elshani bëri të ditur se nuk ka pasur probleme, por njësitë e Policisë së Kosovës janë të gatshme të ndërhyjnë nëse është nevoja.
“Plani nënkupton që policia të jetë e pranishme dhe të sigurojë rendin dhe qetësinë publike në të gjitha vendet, në përputhje me marrëveshjen me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Jemi këtu nëse ka prishje të rendit dhe qetësisë publike. Gjithashtu edhe njësitë e tjera janë në gatishmëri nëse nevojitet diçka. Situata është normale dhe gjithçka është në rregull. Policia është e pranishme në të gjitha vendet dhe deri më tani nuk ka pasur probleme”, ka thënë ai./Reporteri.net/
Elshani: Deri tani s’ka pasur probleme, policia e gatshme të ndërhyjë nëse është nevoja