Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas mbylljes së votimeve për largimin e kryetarëve aktualë të komunave në veri të Kosovës.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Osmani ka shkruar se qytetarët e veriut në masë të madhe nuk shfrytëzuan mundësinë për të votuar.
“Për fat të keq, kjo kryesisht ndodhi për shkak të presionit të Beogradit, të ekzekutuar nga Lista Serbe dhe strukturat ilegale kriminale. Edhe njëherë, Serbia kreu ndërhyrje të paligjshme në një proces zgjedhor të një shteti tjetër. Edhe njëherë, Vuçiqi shkeli fjalën që ua kishte dhënë partnerëve ndërkombëtarë”, ka shkruar Osmani në Facebook.
“Por, Kosova sërish dëshmoi maturi, organizim e respektim të plotë të ligjeve e kushtetutës, duke ju ofruar të gjitha komuniteteve, pa dallim, mundësinë që ata të zgjedhin vetë se kush dëshirojnë t’i përfaqësojë. E falënderoj Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, institucionet tona të sigurisë, si dhe partnerët tanë për punën, përkushtimin dhe bashkëpunimin”, ka shtuar ajo,
Sipas presidentes, me organizimin e procesit të sotëm, Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga BE-ja. Ajo ka shtuar se masat e padrejta kundër Kosovës duhet të hiqen menjëherë.