Senatorët nga SHBA, Ron Johnson (republikan nga Wisconsin) dhe Chris Murphy (demokrat nga Connecticut) po qëndrojnë gjatë ditës së sotme në Prishtinë, ku kanë zhvilluar takime me udhëheqësit politikë, presidentin Thaçi, dhe pjesëtarët e shoqërisë civile.
Senatori republikan Ron Johnson ka thënë se janë këtu për të shprehur mbështetjen e Amerikës për popullin e Kosovës, të cilin duan ta shohin sa më të suksesshëm, shkruan Reporteri.net.
“Unë dhe senatori Murphy jemi sot këtu për të shprehur mbështetjen tonë për popullin e Kosovës dhe për rajonin. Ne me të vërtetë duam ta shohim këtë rajon të ketë sukses. Çdo qenie njerëzore e dëshiron të njëjtën gjë, ne duam paqe, siguri ne duam t’i rrisim familjet tona në një vend me prosperitet”, u shpreh senatori Johnson.
Ndërkaq demokrati Chris Murphy tha se mes Kosovës dhe Amerikës ekziston një marrëdhënie e veçantë e cila do të vazhdojë të ekzistojë edhe më tutje. Ai foli edhe për dialogun me Serbinë duke thënë se të dy vendet duhet të sakrifikojnë diçka në mënyrë që të vijë deri te normalizimi i marrëdhënieve.
“Kjo është vizita ime e dytë në Kosovë. Çdo herë që vij këtu në Prishtinë jam shumë i impresionuar nga energjia e njerëzve të këtij vendi, një nga shtetet më të reja në botë. Ne jemi miq të Kosovës, këtu është një marrëdhënie e veçantë që ka ekzistuar dhe do të vazhdojë të ekzistojë. Ne e shohim një të ardhme për Kosovën që ekziston me miqtë tanë të Bashkimit Evropian. Sa i përket dialogut duhet të të vazhdojë dialogu dhe të marrin vendime të vështira, duhet që ky dialog të ketë kuptim dhe në të mirën e të dy shteteve. Ne do ta vazhdojmë udhëtimin tonë edhe në Serbi dhe atje do t’i themi edhe Vuçiqit njëjtë. Duhet të rregullohen marrëdhëniet ndërmjet këtyre dy nacionaliteteve sepse kjo është e mira për të dy shtetet, që të jenë në gjendje edhe ta rrisin ekonominë e tyre. Sakrificat kërkohen për të qenë në gjendje të normalizohen marrëdhëniet mes dy vendeve. Ne do ta bëjmë këtë mesazh të qartë në Beograd siç e bëmë sot këtu”, është shprehur senatori Murphy. /Reporteri.net