×
  • Lajme
  • Lajme / Mungesa e njërit anëtarë të trupit gjykues

    Shtyhet seanca gjyqësore në rastin e vrasjes së trefishtë në Gllogjan

    Reporteri
    13 Maj 2024 | 12:24

    Seanca gjyqësore e cila ishte e paraparë të mbahet sot në rastin e vrasjes së trefishtë në Gllogjan të Deçanit, është shtyrë.

    Kështu bëri të ditur zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Pejë, Tringa Zhuti.

    “Seanca u anulua për shkak të mungesës së njërit prej anëtarëve të trupit gjykues, i cili ka munguar për arsye familjare”, tha ajo.

    Zhuti tha se ende nuk ka përgjigje nga ana e gjyqtares së rastit rreth mbajtjes së seancës së radhës.

    Kjo ngjarje e ndodhur më 26 nëntor 2021, e pati tronditur Kosovën.

    Në Gllogjan u patën vrarë tre persona, në mesin e të cilëve dy fëmijë.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 5 maj 2023 nga Prokuroria Themelore në Pejë, të pandehurit Halil, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj, ngarkohen se më 26 nëntor 2021, në fshatin Gllogjan, Komuna e Deçanit, saktësisht në rrugën “Ismajl Haradinaj”, të shtyrë nga hakmarrja e paskrupullt, në marrëveshje e bashkëveprim me njëri-tjetrin, privojnë nga jeta tre persona, dy prej tyre të cilët ishin fëmijë. Pra, të vdekur mbetën shoferi i autobusit G.Gj, si dhe nxënësit L.H (17 vjeçar) dhe G.M (17 vjeçare).

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!