Në prag të mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ku anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë ende s’është futur në rend dite, Qeveria e Kosovës është zotuar për krijimin e një draftstatuti për Asociacion dhe dërgimin e tij në Kushtetuese deri në fund të muajit maj, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Kjo është bërë e ditur nga Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla e cila ka thënë se i ka dërguar një letër presidentit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, Theodoros Rousopoulos me zotimin për përgatitjen e drafit dhe dërgimin e tij në Kushtetuese deri në fund të këtij muaji.
Në letrën e plotë të siguruar nga Gazeta online Reporteri.net, thuhet se Qeveria do të përgatisë një draft bazuar në atë nga ai i Fondacionit Friedrich Ebert (FES).
“Pas letrës së zotimit të datës 23 mars 2024 të nënshkruar nga lidershipi politik i Kosovës, përkatësisht presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, po ju shkruaj për t’ju informuar për hapat konkretë që po ndërmarrim në përputhje me angazhimet tona pas votimit për anëtarësim. Që nga 17 prilli 2024, Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë hapa konkretë dhe të prekshëm në drejtim të zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazë dhe aneksit të zbatimit të saj, duke përfshirë Asociacionin si një nga zotimet e pas-anëtarësimit. Në përputhje me frymën e nenit 7 në lidhje me nenin 10 të Marrëveshjes Bazë, ne tashmë kemi filluar konsultimet me përfaqësuesit e pjesëtarëve të komunitetit serb për të marrë parasysh nevojat e tyre. Në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës po përgatit një draftstatut për Asociacionin, të inspiruar nga FES-i që do të dërgohet në Kushtetuese deri në fund të majit 2024”, thuhet në letrën e ministres Gërvalla.
Kryediplomatja tha se pret që tani Këshilli i Evropës të përmbushë pjesë e vet të detyrimit dhe ta ftojë Kosovën të bëhet pjesë e KiE.
“Pas konkretizimit të sotëm të zotimit tonë për të bërë një hap të rëndësishëm dhe të prekshëm në përmbushjen e zotimeve tona, kërkojmë dhe presim nga Këshilli i Evropës që të përmbushë pjesën e vet të detyrimit dhe të ftojë Kosovën për t’iu bashkuar pa vonesë Këshillit të Evropës, si vendi të cilit jo vetëm që i janë vendosur më së shumti kushte për anëtarësim në këtë organizatë, por i cili i ka përmbushur të gjitha këto kushte. Kosova e pavarur dhe sovrane, si shtet ligjor dhe demokratik, mbetet në kursin e saj të palëkundur drejt anëtarësimit në NATO dhe BE”, shkruan ajo. /Reporteri.net/