Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj ka thënë se letra e zotimit që i ka dërguar Ministrja Gërvalla, Presidentit të Asamblesë Parlamentare s’mund të jetë më e fuqishme se ajo e Osmanit, Konjufcës dhe Kurtit të cilët siç thotë ajo janë zotuar ta zbatojnë në plotëni marrëveshjen e Brukselit, dhe aneksin e Ohrit, ku përfshihet edhe Asociacioni, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Kadrijaj ka thënë se këto “ekzibicione” qeveria po i bën për hir të masës që i kanë votuar, por që sipas saj po i shkaktojnë dëm Kosovës.
“Definitivisht kjo qeveri më nuk po na befason me të gjitha këto deklarata. Nuk mundet me qenë një letër zotuese e Gërvallës më e fuqishme se ajo që e ka bërë presidentja, kryeparlamentari dhe kryeministri të cilët janë zotuar që në plotëni ta zbatojnë marrëveshjen e Brukselit, dhe aneksin e Ohrit, ku përfshihet edhe Asociacioni. Tash edhe një letër nga Ministrja, spo mundem me kuptu. A do ta dërgojnë apo jo është çështje ditësh. E vërteta është që kjo qeveri e ka pranuar Asociacionin dhe është zotuar që do ta zbatojë në plotëni marrëveshjen. Të gjitha këto ekzibicione që po i bëjnë me veprime populiste janë veprime që po i bëjnë për hir të masës që i kanë votuar. Këto veprime po i shkaktojnë dëm Kosovës, por se dijnë që kanë përgjegjësi për Kosovën dhe nuk po sillen në atë formë”, tha ajo.
Deputetja e AAK-së ka përsëritur se nuk do të votojnë pro shpërbërjes së Kuvendit, pasi kërkojnë që Kurti të dorëhiqet.
“Kurti dhe kjo qeverisje është e dështuar. Kemi kërkuar që të dorëhiqet kjo qeveri. Nuk do ta votojmë shpërbërjen e Kuvendit”, tha Kadrijaj./Reporteri.net/