Kryeministri Albin Kurti dje thuri lavdata për qeverisjen e tij duke thënë se vendi ka rritje e zhvillim në çdo aspekt të jetës dhe rritje të vendeve të punës.
Kurti tha se janë krijuar mbi 87 mijë vende pune më shumë gjatë katër viteve të qeverisjes së tij.
“Nga 331 mijë e 742 vende pune në mbyllje të vitit 2019, në fund të vitit 2023, pra për një periudhë katër vjeçare, kemi 419 mijë e 126 vende pune, apo mbi 87 mijë vende pune më shumë, apo mbi 26%, Nga një rritje ekonomike prej 1 miliardë euro për tre vite gjatë mandateve para qeverisë tonë, kaluam në një rritje ekonomike në 1 miliardë euro në vit me qeverinë tonë”, ka thënë Kurti, shkruan Reporteri.net.
Kjo deklaratë e kreut të ekzekutivit për rritjen e vendeve të punës ngjalli reagimin e deputetëve opozitarë, ku sipas tyre kreu i qeversië po thotë të pavërteta.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka thënë se Kurti thotë të pavërteta kur deklaron se qeveria e tij ka krijuar 87 mijë vende pune, shkruan Reporteri.net.
Ajo nnjë postim në Facebook, thotë se rritje ka pasur për 58 mijë, dhe siç thotë ajo e pavërteta peshon në 29 mijë vende pune.
“Kryeministri Kurti i cili nuk e gjeti guximin të deklarohet për dështimin e tij për ta antarësur Kosovën në Këshillin e Evropës, paska deklaru se Qeveria e tij i ka kriju 87 mijë vende të reja të punës. Kjo është një e pavërtetë e madhe të cilën nuk kanë si e kamufolojnë dezinformuesit qeveritarë dhe ja argumentet:
Sipas ATK-së është e vertëtë se Kosova sot ka rreth 415,415 vende pune, por është gjithashtu është e vërtetë se sipas ATK-së në vitin 2020, në kohën e pandemisë Kosova ka pasë 357,161 vende pune, andaj edhe nëse krejt vitin 2021 e llogarisim si vit të Qeversië Kurti numri i vendeve të punës nuk është rritë për 87 mijë sa thotë Kurti, por është rritë 58 mijë. Kjo e pavërtetë peshon hiç me pak se 29 mijë vende pune. Shih tabelën poshtë. Për me tepër nëse ne dëshirojmë me ditë numrin e të punësuarve në vend, me punësim stabil atëherë ka një institucion ku ne mund t’i shohim shifrat dhe ai institicion është Trusti i Kursimeve Pensionale. Trusti është me i besushëm se Administrata Tatimore për faktin se në ATK nëse një person punon në tri ose katër vende, ATK e llogaritë tri, respektivisht katër herë, e të tillë nuk janë pak. Sipas Trustit të Kursimeve Personale në vitin 2022 numri mesatar i llogarive aktive është 331 555, derisa në vitin 2021 kjo shifër ishte 315 722”.
“Një fakt tjetër është se Qeveria nuk krijon vende pune, Qeveria e ka për dëtyrë që me kriju klimë të përshtatshme për biznes. E çka ka bërë kjo Qeveri për klimën e biznesit? Unë e sfidoj Kryeministrin Kurti me dalë me tregu dy gjëra që Qeveria e tij i ka bërë për ta lehtësuar klimën e bizneseve. Ndërsa gjatë këtij mandati ka një sërë veprimesh/mosveprime që klimën biznesore në Kosovë e kanë përkeqësu si:
1. Deklaratat e Kurtit nëpër medie ndërkombëtare që nga ditët e para të qeverisjes së tij se “Kosova është vatër lufte, e vend ku ka lulëzu krimi për 20 vjet”,
2. Masat ndëshkuese të BE-së, ndikimi i tyre negativ te të gjithë investitorët potencial, por edhe bllokimi i mbi 300 milionë eurove projekte konkrete,
3. Ngritja e çmimit të energjisë elektrike,
4. Inflacion (mos ndermarrja e asnjë mase nga ana e Qeverisë për ta zbutur inflacionin),
5. Rritja e tatimit në pronë,
6. Mbyllja e terminaleve doganore pa ofuar alternativë në disa komuna,
7. Mungesë e reformave fiskale,
8. Mosfunksionimi i Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik,
9. Mbi 900 tenderë me negocim të drejtëpërdrejrë kanë deformu konkurrencën e lirë në treg dhe gjithashtu krijojnë hezitim për investitorët potencial për të operuar në një vend ku Qeveria është klienteliste,
10. Mugensa e investimeve kapitale, që dmth. mungesë e punës për kompanitë private, por edhe mungesë e infrastrukturës (mendoni këtu vetëm kostot e transporti të bizneseve të Mitrovicës, Vushtrrisë, Podujevës, Gjilanit) etj etj.
Dhe natyrshëm vjen pyetja si paska ndiku Z. Kurti dhe Qeveria e tij me kriju vende pune? Ne ju jemi mirënjohës bizneseve që po punojë shumë e po kontribojnë në krijimin e vendeve të punës. Kjo Qeveri mundet me përmirësu klimën e bizneseve vetëm nendorëheqjen e saj. Shihni fotot më poshtë të dhëna nga ATK dhe Trusti”, ka shkruar Bajrami.
Kryeministri i ka reaguar edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, i cili ka thënë se minimum 87 mijë qytetarë e kanë lëshuar vendin në katër vitet e fundit, ndërsa shifrat e kreut të ekzekutivit i ka quajtur imagjinare, shkruan Reporteri.net.
“Lejë përrallat kryeministër! Vende të reja pune, jo se jo, por ajo çfarë mund të kuptojmë nga kjo deklaratë e kryeministrit është që për katër vite, 87 mijë është minimumi i atyre që kanë braktisur Kosovën, kuptohet numri më i madh i tyre i moshës së re, fuqi e shkathtë punëmarrëse. Stop abuzimit me shifra imagjinare!”, ka shkruar Tahiri në Facebook.