Pas një aksioni të Policisë së Kosovës, së bashku me Administratën Tatimore të Kosovës në veri, janë mbyllur gjashtë njësi të të ashtuquajturës “Bankë Postare Kursimore”, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Në komunikatën e lëshuar për media thuhet se operacioni po zhvillohet në gjashtë lokacione të katër komunave veriore, me qëllim vendosjen e rendit dhe ligjshmërisë.
I ashtuquajturi Trezori i Bankës Postare Kursimore dhe pesë filiale tjera të saj, sipas policisë kanë vepruar ilegalisht në këtë zonë të Republikës së Kosovës.
Komunikata e plotë:
Mbyllen gjashtë njësi të të ashtuquajturës ‘Bankë Postare Kursimore’ në veri të vendit
Prishtinë, më 20 maj 2024
Policia e Kosovës, pas raportimeve të institucioneve monitoruese financiare, si Njësia e Inteligjencës Financiare dhe Banka Qendrore e Kosovës, së bashku me Administratën Tatimore të Kosovës, bazuar në autorizim të prokurorit kompetent, është duke zhvilluar një operacion policor në gjashtë lokacione të katër komunave në veri të Kosovës, e që janë i ashtuquajturi Trezori i Bankës Postare Kursimore (Banka Postanske Stedionice) dhe pesë filialeve të tjera të saj, që kanë vepruar ilegalisht në këtë zonë të Republikës së Kosovës.
Ky operacion policor është duke u zhvilluar në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet përkatëse të Kosovës dhe organeve të drejtësisë, aksion ky i cili deri më tani ka kaluar pa ndonjë problem apo incident.
Qëllimi i operacionit policor është vendosja e rendit dhe ligjshmërisë, ku me autorizim të prokurorit kompetent gjashtë njësi të ashtuquajturës bankës postare kursimore ilegale, në veri të vendit janë mbyllur.