Këshilli Gjyqësor i Kosovës pas një mbledhje të mbajtur sot me shumicë të votave ka suspenduar nga puna gjyqtarin e rastit, pas arratisjes së Enver Sekiraqës, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Në njoftimin e bërë nga KGJK me shumicë votash mori këtë vendim, deri në një tjetër të radhës.
“Këshilli, pas shqyrtimit dhe analizimit të dy rasteve disiplinore ka themeluar panelet hetimore. Sa i përket rastit AD/KGJK/04/2024/GJTHPR-AD/GJTHPR/8/24, Këshilli bazuar në kërkesën e autoritetit kompetent me shumicë të votave vendosi për suspendimin e gjyqtarit që është subjekt i hetimit, deri në një vendim tjetër të Këshillit. Këshilli vlerësoi se suspendimi i subjektit të hetimit, në këtë fazë të procedurës, do të krijojë parakushte që paneli hetimor të hetoj në tërësi çështjen në mënyrë të pavarur, objektive dhe të pa ndikuar”, thuhet në njoftim.
Më 18 maji, Policia e Kosovës konfirmoi se Enver Sekiraqa nuk ishte gjetur në shtëpi gjatë së premtes dhe të shtunës, pas vendimit të Gjykatës së Apelit për kthim në paraburgim.
Policia ka bërë të ditur se kanë ndërmarrë të gjitha masat për informim dhe ndalim në të gjitha vendkalimet kufitare dhe drejtoritë rajonale policore, ndaj Enver Sekiraqës, pasi i njëjti nuk u has në shtëpinë e tij për dy ditë radhazi.
Kërkimi i tij filloi pas një aktvendimi të pranuar të Gjykatës së Apelit, të datës 17.05.2024, për ndryshim të masës së sigurisë së të pandehurit Enver Sekiraqa./Reporteri.net/