Në 25-vjetorin e masakrës së Dubravës, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se kjo masakër shpërfaqi egërsinë e Serbisë kundrejt të burgosurve të luftës dhe atyre politik, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Drejtësi për viktimat dhe kujtim i përhershëm për to”, shkruan mes tjerash Osmani.
Postimi i plotë:
Presidentja Vjosa Osmani kujtoi Masakrën e burgut të Dubravës
25-vjet më parë, prej 19-24 maj 1999, pushteti gjenocidal i Serbisë i vrau brenda burgut të Dubravës 120 të burgosur shqiptarë të luftës dhe të burgosur politik dhe i plagosi 300 të tjerë.
Kjo masakër shpërfaqi sikur edhe në shumë masakra të tjera gjithandej Kosovës, egërsinë e pushtetit kriminal kundrejt të burgosurve shqiptarë të luftës dhe të burgosurve politik, të cilët padrejtësisht mbaheshin në burg.
Sot, bashkëndjejmë me të gjitha familjet që humbën anëtarët e tyre në këtë masakër, ndërkaq të mbijetuarit i inkurajojmë të vazhdojnë ta mbrojnë të vërtetën dhe të luftojnë për drejtësi.
Drejtësi për viktimat dhe kujtim i përhershëm për to!