×
  • Lajme
  • Lajme / Lidhja me Shqipërinë

    Aliu: Ka nisur të jetësohet hekurudha Durrës-Prishtinë

    Reporteri
    22 Maj 2024 | 21:26

    Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, e ka cilësuar të jashtëzakonshëm lajmin në lidhje me hekurudhën Durrës-Prishtinë.

    Ndonëse nuk ka dhënë detaje, ai ka thënë se ky projekt dalëngadalë po jetësohet.

    “Lajm i jashtëzakonshëm që pas një sërë takimeve të njëpasnjëshme, si ai me z. Martin Vickers, deputetin dhe të dërguarin e posaçëm të Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, e më pastaj edhe me përfaqësuesit e Export Finance (UKEF), projekti i linjës hekurudhore Durrës-Prishtinë, dalëngadalë po jetësohet për të bashkuar ekonomikisht të dy vendet tona”, ka shkruar Aliu në Facebook.

    Ai shtoi se sot ka qëndruar në Tiranë, bashkë me kolegë e bashkëpunëtorë, ku kanë zhvilluar një takim pune për të diskutuar vijimësinë e ndërtimit të hekurudhës “më të rëndësishme kombëtare, Durrës-Prishtinë”.

    Ministri tha se kjo hekurudhë do të kontribuojë në një lidhje të shpejtë të pasagjerëve dhe mallrave.

    “Në takim ritheksova se krijimi i linjës hekurudhore është zgjidhja më ekologjike e ndërlidhjes tonë me Shqipërinë. Bashkërisht shprehëm mirënjohjen e pamasë për përkrahjen e Britanisë dhe për mundësinë që kemi para nesh për thellimin e këtij bashkëpunimi”, deklaroi ministri Liburn Aliu.

    Çështja e linjës hekurudhore u përmend sot edhe nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë takimit me ministrin e Jashtëm britanik në Tiranë, David Cameron.

    Rama u zotua se do të vazhdojë partneritetin me Britaninë për të dekurajuar migrimin nga Shqipëria.

    Ai tha po ashtu se është i kënaqur me përfshirjen britanike me pjesëmarrje financiare dhe ekspertizë në linjën e re hekurudhore mes portit të Durrësit dhe Prishtinës.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!