Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka reaguar pasi Asambleja Parlamentare e NATO-s ka miratuar sot rekomandimin për avancim të statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asocuar, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
Petkoviq ka thënë se pranimi i Kosovës si anëtare e asocuar në AP të NATO-s, ka ekspozuar sipas tij, ‘politikën e standardeve të dyfishta të Perëndimit’.
Ai ka akuzuar Perëndimin se edhe një herë e ka shpërblyer fëmijën e vet.
“Cilat janë sanksionet perëndimore ndaj Prishtinës, gjatë së cilës e ashtuquajtura Kosovë merr liberalizimin e vizave, merr pjesë në të gjitha tubimet ndërkombëtare dhe avancon drejt disa organizatave ndërkombëtare?”, tha Petkoviq.
Ai shkoi edhe më tej, duke thënë se kohët e fundit Perëndimi “po ushtron presion të fortë ndaj Serbisë dhe popullit serb, sepse është e qartë se një Serbi e fortë me Aleksandar Vuçiqin në krye është gjemb në sytë e shumë fuqive perëndimore”.
“Jemi dëshmitarë se sa shumë, sidomos kohët e fundit, po ushtrojnë presion të fortë ndaj Serbisë dhe popullit serb, sepse është e qartë se një Serbi e fortë e udhëhequr nga Aleksandar Vuçiq është gjemb në këmbë për fuqitë e shumta perëndimore”, ka thënë Petkoviq përmes një deklarate.
Kujtojmë se në takimin e Asamblesë që po mbahet në Sofje të Bullgarisë, shumica e vendeve kanë votuar për, një votë ka qenë kundër dhe 14 vende tjera kanë abstenuar.
Asambleja Parlamentare e NATO-s është institucionalisht e ndarë nga NATO-ja, por shërben si një lidhje e rëndësishme mes NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare.
Ajo përbëhet nga 281 delegatë nga të 32 vendet anëtare të NATO-s.
Përveç tyre, në aktivitete të saj marrin pjesë edhe delegatë nga 9 vende të asocuara, 4 vende të asocuara mesdhetare, si dhe 8 delegacione vëzhguese parlamentare.
Anëtarët e asocuar mund të paraqesin rezoluta dhe ndryshime në rezoluta. Gjithashtu, mund të shërbejnë si raportues specialë të asocuar në komitete, për të paraqitur perspektivat e tyre në raportet NATO-Asamble Parlamentare.
Megjithatë, ata nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e Asamblesë dhe as nuk kontribuojnë në buxhetin e saj.
Aktualisht, anëtare të asocuara janë nëntë – në mesin e tyre edhe Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
Kuvendi i Kosovës, prej vitesh, është delegacion vëzhgues me dy ulëse. Tani, me avancimin e statusit do të mund të zgjerohet edhe delegacioni pjesëmarrës kosovar.