Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar se ndonjëherë ka dallime me aleatët e tij evropianë dhe amerikanë, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.
Në një intervistë për Financal Times, Kurti tha se kjo ndodh “kur bëhet fjalë për strategjitë, operacionet dhe taktikat në terren nga njëra anë, dhe kur bëhet fjalë për marrëdhëniet me Serbinë”, por sipas tij, jo për vlerat apo parimet.
Kurti ka thënë se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë treguar shumë të butë ndaj Serbisë dhe duhet t’ia caktojnë një ultimatum për t’i vënë sanksione Rusisë.
Kurti ka thënë se Beogradi duhet të rreshtohet kah Perëndimi ndaj Moskës në mënyrë që t’i japë Kosovës siguri se është e përkushtuar në normalizim raportesh.
“Brukseli dhe Washintgoni duhet të ndryshojnë qasjen e tyre dhe t’i japin ultimatum Serbisë… që t’i vë sanksione Federatës Ruse dhe të ndalë përpjekjet që të ulet në tre ose katër stola”, ka thënë Kurti.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka ruajtur raportet e ngushta me Kremlinin dhe Pekinin. Vuçiqi ka refuzuar t’i vë sanksione Rusisë.
“Sapo që Serbia t’i vë sanksione Federatës Ruse, atëherë do të ishte një moment kur ata mund të tregojnë se duan të integrohen në BE, dhe Serbia pa Rusinë nuk mund ta kërcënojë sigurinë e kontinentit. Atëherë do të mund të besoja se në thelb duan paqe. Dhe SHBA-ja e BE-ja nuk do të përpiqeshin që t’i qetësonin më”, ka thënë Kurti.
Duke folur për çështjen e dinarit, Kurti tha se kufizimet burojnë nga kushtetuta e vendit të tij, e cila përcakton vetëm një mjet pagese. Ai tha se dy të tretat e serbëve morën përfitime nga Kosova në euro.