×
  • Lajme
  • Botë

    Spanja, Norvegjia dhe Irlanda e njohin edhe zyrtarisht shtetin palestinez

    Reporteri
    28 Maj 2024 | 14:15

    Spanja, Irlanda dhe Norvegjia do ta njohin edhe zyrtarisht shtetin palestinez të martën, raporton Reuters.

    Duke iu bashkuar më shumë se 140 nga 193 shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara që njohin shtetin palestinez, Madridi, Dublini dhe Oslo thanë se ata kërkuan të përshpejtonin përpjekjet për të siguruar një armëpushim në luftën e Izraelit me Hamasin në Gaza, transmeton gazeta online Reporteri.net.

    “Ky është një vendim historik që ka një objektiv të vetëm: që izraelitët dhe palestinezët të arrijnë paqen”, tha kryeministri spanjoll Pedro Sanchez në një fjalim televiziv përpara një takimi të kabinetit që do të miratojë zyrtarisht vendimin.

    Spanja do të njohë një shtet të unifikuar palestinez, duke përfshirë Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor, nën Autoritetin Kombëtar Palestinez me Jerusalemin Lindor si kryeqytet, tha ai.

    Autoriteti palestinez, i cili ushtron vetëqeverisje të kufizuar në Bregun Perëndimor nën pushtimin ushtarak izraelit, e ka mirëpritur vendimin. Sanchez tha se Madridi nuk do të njohë asnjë ndryshim në kufijtë e para vitit 1967 nëse nuk bihet dakord nga të dyja palët.

    “Është e vetmja mënyrë për të avancuar drejt asaj që të gjithë e njohin si zgjidhjen e vetme të mundshme për të arritur një të ardhme paqësore, një shtet palestinez që jeton krah për krah me shtetin izraelit në paqe dhe siguri”, tha ai.

    Të tre vendet thonë se shpresojnë se vendimi i tyre do të nxisë vendet e tjera të Bashkimit Evropian të ndjekin shembullin.

    Izraeli e ka dënuar në mënyrë të përsëritur vendimin, duke këmbëngulur që kjo lëvizje do të forcojë Hamasin, i cili organizoi sulmin e 7 tetorit mbi Izraelin nga baza e tij në Gaza. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!