×
  • Lajme
  • Botë

    Pas raportimit se përdori term fyes homofobik, Papa kërkon falje

    Reporteri
    28 Maj 2024 | 16:38

    Papa Françesku ka kërkuar falje pas raportimeve se kishte përdorur gjuhë tejet përçmuese ndaj homoseksualëve, tha Vatikani të martën.

    Vatikani tha në një komunikatë se qëllimi i papës nuk ishte ta fyente askënd dhe se u kërkon falje atyre të cilët “u lënduan nga fjalët e tij”.

    “Qëllimi i papës nuk ka qenë asnjëherë të fyejë, apo të shprehet me fjalë homofobike. Ai u kërkon falje atyre të cilët u ndien të fyer nga përdorimi i termit që u raportua nga të tjerët”, tha zëdhënësi i Vatikanit, Matteo Bruni.

    Media italiane raportuan të hënën se Françesku e përdori termin italian “frociaggine”, një shprehje tejet përçmuese, derisa po u tregonte peshkopëve italianë se ai vazhdon të jetë kundër pranimit të homoseksualëve në priftëri, transmeton REL.

    Portali italian Dagospia ishte i pari që raportoi për incidentin e dyshuar, i cili besohet se ka ndodhur më 20 maj, kur papa u takua privatisht me peshkopët italianë.

    Bruni tha se Françesku është “në dijeni” për raportimet në media.

    Zëdhënësi i Vatikanit e përsëriti se papa mbetet i përkushtuar që kisha të jetë mikpritëse për të gjithë, ku “askush nuk është i padobishëm, askush nuk është i tepërt dhe ku ka vend për të gjithë”.

    Dhjetorin e kaluar, Françesku e miratoi një vendim, sipas të cilit, priftërinjtë katolikë mund ta bekojnë bashkimin e çifteve të gjinisë së njëjtë, nëse ato nuk janë pjesë e liturgjive dhe ritualeve të rregullta kishtare.

    Sipas Vatikanit, bekimet e tilla nuk do t’i bëjnë të ligjshme situatat e parregullta, por do të jenë një shenjë se Zoti i mirëpret të gjithë.

    Vendimi nuk duhet në asnjë mënyrë të ngatërrohet me bekimin e martesës mes një burri dhe një gruaje, sipas Vatikanit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!