×
  • Lajme
  • Lajme / Mobilizimi për zgjedhje

    PDK-ja e vendosur për t’i dhënë fund “keqqeverisjes” së Kurtit

    Reporteri
    30 Maj 2024 | 18:25

    Kryesia e PDK-së dhe kolegjiumi i kryetarëve të degëve kanë mbajtur një takim dhe janë shprehur të vendosur për t’i dhënë fund keqqeverisjes nga kryeministri Albin Kurti.

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka zhvilluar të enjten takime të ndara me kryesinë e partisë dhe me kolegjiumin e kryetarëve të degëve të PDK-së, ku temë diskutimi ishin zhvillimet e fundit politike në vend.

    Krasniqi ka shprehur keqardhjen e tij për humbjen e mundësisë për shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, pasi thirrja dhe propozimi i PDK-së për koordinim mes partive më të mëdha politike lidhur me këtë proces nuk e ka gjetur mbështetjen e nevojshme.

    “Kryetari Krasniqi ripërsëriti se Partia Demokratike e Kosovës e ka dëshmuar seriozitetin e saj për t’i dhënë fund keqqeverisjes aktuale dhe se vazhdon të jetë e gatshme për cilindo variant që do të mundësonte zgjedhje të parakohshme. Deri atëherë, Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të jetë zëri më i fuqishëm opozitar në vend”, thuhet në një njoftim të PDK-së.

    Duke theksuar se Kosovës i duhet një Qeveri kredibile, e përgjegjshme dhe kompetente, që në qendër e vendosë interesin qytetar, Krasniqi tha se PDK e ofron alternativën më të mirë për qytetarët e vendit, përmes vizionit dhe programit të kandidatit të PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!