×
  • Lajme
  • Botë

    Afganistani synon të vaksinojë miliona fëmijë kundër poliomielitit

    Reporteri
    03 Qershor 2024 | 14:04
    Ilustrim

    Afganistani nisi një tjetër fushatë të vaksinimit kundër poliomielitit, e cila synon mbrojtjen e rreth 11.2 milionë fëmijëve nën moshën 5-vjeçare, tha të hënën Ministria e Shëndetësisë e talibanëve, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    Fushata katërditore mbarëkombëtare – e dyta këtë vit – do t’i mbulojë 34 provincat e vendit, thuhet në deklaratë.

    “Ne do të bëjmë çdo përpjekje dhe do t’i vazhdojmë fushatat e vaksinimit kundër poliomielitit, ashtu si dhe shërbimet plotësuese shëndetësore, derisa ta zhdukim poliomielitin nga Afganistani”, tha ministri Noor Jalal Jalali.

    Ai u bëri thirrje dijetarëve fetarë, pleqve të komunitetit dhe prindërve që t’i luajnë rolet e tyre në luftën kundër kësaj sëmundjeje, që mund të çojë në paralizë dhe vdekje.

    Në dhjetor, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se riatdhesimi i migrantëve afganë nga Pakistani fqinj, e ka rritur rrezikun e përhapjes së poliomielitit.

    Që atëherë, Afganistani ka kryer disa runde vaksinimesh.

    Katër raste të këtij virusi janë regjistruar në Afganistan vetëm këtë vit, sipas Abdul Quddus Baryalait, drejtor i Qendrës kombëtare për Çrrënjosjen e Poliomielitit. Vitin e kaluar, sipas tij, janë regjistruar gjithsej gjashtë raste.

    Fushatat e vaksinimit në Afganistan dhe Pakistan shpesh janë sfiduese, për shkak të teorive konspirative se vaksinat e poliomielitit shkaktojnë infertilitet ose se vaksinuesit janë spiunë.

    Para se të merrnin pushtetin në gusht të vitit 2021, talibanët kanë ndaluar shkuarjen e vaksinuesve nga shtëpia në shtëpi, në zonat që ata kanë kontrolluar.

    Megjithatë, Kombet e Bashkuara i kanë bindur që ta rinisin programin e vaksinimit në të gjithë vendin, pas kthimit të tyre në pushtet.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!